Shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk tha se kompania e tij nuk do prodhojë vetura në Indi në qoftë se vendi nuk i lejon shitjet dhe servisimin e veturave elektrike.
Kur u pyet nga një përdorues i Twitter gjatë së premtes se a do të ndërtojë në të ardhmen ndonjë fabrikë për prodhimin e Tesla-s në Indi, Musk tha se kjo nuk do të mund të ndodhë nën ligjet aktuale të vendit.
“Tesla nuk do ndërtojë fabrika për prodhim të veturave në asnjë vend i cili nuk na lejon të shesim dhe servisojmë ato”, shkroi Musk në Twitter, transmeton Telegrafi.
Ekipi që u angazhua nga Musk në Indi që nga viti i kaluar, u urdhërua që të fokusohen në tregjet më të mëdha të Lindjes së Mesme dhe rajonit të Paqësorit Aziatik.
Komentet e Musk vijnë pasi qeveria indiane ende nuk e ka pranuar kërkesën që të zvogëlojnë taksat e importit të veturave të markës Tesla.
Liderët e qeverisë indiane kanë bërë kërkesa të shumta ndaj Musk për ta hapur fabrikën Tesla në Indi, por asnjëra nga ato kërkesë nuk u pranua nga ai. /Telegrafi/