Site icon Telegrafi

Elon Musk thotë se njerëzit nuk duhet të shqetësohen për koston e rritjes së fëmijëve dhe ‘të fillojnë të bëjnë menjëherë’

Elon Musk thotë se njerëzit duhet të shqetësohen më pak për koston e rritjes së fëmijëve dhe ‘të fillojnë të bëjnë menjëherë’.

CEO i Tesla dhe SpaceX u pyet në një tubim pro-Trump në Harrisburg, Pennsylvania të shtunën në mbrëmje se çfarë këshille do t’i jepte brezit të ri, kur bëhet fjalë për të pasur fëmijë, përcjell Telegrafi.

“Këshilla ime për krijimin e familjes është të fillosh menjëherë”, u përgjigj ai.

“Unë mendoj se njerëzit shqetësohen shumë për rritjen e fëmijëve…”, tha Musk, personi më i pasur në botë me një vlerë neto prej 242 miliardë dollarësh sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.

“Por sinqerisht, me të vërtetë nuk ka kohë si e tashmja. Vetëm bëni fëmijë. Nuk do të pendoheni. Do të funksionojë”, ka shtuar Musk.

Ekzekutivi i teknologjisë, i cili ka 11 fëmijë të njohur, u ka kërkuar njerëzve “të riprodhohen për vite me radhë”, duke paralajmëruar për kolaps të popullsisë globale nëse nuk e bëjnë këtë.

“Thjesht bëni fëmijë në një mënyrë ose në një tjetër, ose njerëzimi do të vdesë”, kishte thënë ai në maj.

“Po bëj çmos për të inkurajuar më shumë njerëz që të bëhen prindër dhe në mënyrë ideale të kenë tre ose më shumë fëmijë, në mënyrë që njerëzimi të rritet”, shkroi Musk në platformën e mediave sociale në shkurt.

Musk tha në një postim në dhjetor se ai e kuptonte nëse dikush nuk mund të kishte fëmijë.

“Megjithatë, nuk mendoj se është mirë të mos kesh fëmijë qëllimisht. Është antinjerëzore”, tha ai.

Ai gjithashtu iu përgjigj “saktësisht” një postimi të prillit duke thënë se “fëmijët nuk janë të shtrenjtë, por mënyra e jetesës së njerëzve”. /Telegrafi/

Exit mobile version