Telegrafi

Elon Musk tallet me presidentin Biden pasi ky i fundit nuk e uroi për misionin e katër civilëve në hapësirë: Ai është ende në gjumë

Elon Musk tallet me presidentin amerikan Joe Biden, pasi u pyet se pse ky i fundit nuk e kishte përgëzuar me misionin e fundit të SpaceX.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, misioni Inspiration4 nga SpaceX ka dërguar katër civilë në hapësirë, për të qëndruar në orbitën e Tokës për tre ditë; ekuipazhi është kthyer të shtunën.

Kur dikush pyeti Musk në Twitter pse Biden nuk uroi arritjen e kompanisë, shefi ekzekutiv i SpaceX dhe i Tesla-s, ofroi disa fjalë të zgjedhura.

“Ai është ende duke fjetur”, u përgjigj Musk në një postim të dielën në Twitter, duke i bërë jehonë fyerjes së ish-presidentit Donald Trump, i cili i referohet Bidenit me nofkën “Bideni i përgjumur”.

Megjithëse, urimi nuk erdhi nga vetë presidenti amerikan, misioni i SpaceX mori postime të shumta urimesh gjatë dhe pas fluturimit nga Bill Nelson, ish-senatori, që Biden e ka emëruar si administrator të NASA-s.

“Përgëzime Inspiration4, ju keni ndihmuar ta dëshmoni se orbita e ulët e Tokës është e hapur për biznes”, shkroi Nelson të shtunën në Twitter. /Telegrafi/