Shefi ekzekutiv i Tesla, Elon Musk, po përballet me një padi të ngritur nga Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim (SEC) i SHBA të enjten. SEC e akuzoi atë për mashtrim pasi Musk shkroi që ai kishte siguruar fonde për marrjen e Tesla në pronësi private në 420 dollarë për aksion.
SEC deklaroi në padinë e paraqitur në një gjykatë federale në Manhatan se ekzekutivi kishte bërë “deklarata publike dhe lëshime të rreme dhe mashtruese që shkaktuan konfuzion të konsiderueshëm dhe përçarje në tregun e aksioneve të Teslës dhe dëmtim që u shkaktoi investitorëve”, megjithëse Musk e përshkroi akuzën si të pajustifikuar.
Skenari më i keq për drejtorin e Tesla është se ai mund të urdhërohet të paguajë një gjobë të madhe dhe të ndalohet të udhëheq ndonjë kompani publike në SHBA. Kjo mund të nënkuptojë gjithashtu që ditët e tij si shefi ekzekutiv i Teslës janë të numëruara, edhe pse me siguri do të dimë më shumë kur rasti përparon më tutje.
Pas postimit në Twitter të Musk më 7 gusht, çmimet e aksionit të Tesla ranë pasi u zbulua se ekzekutivi nuk kishte fonde për të marrë kompaninë privatisht. Përfundimisht, aksionet e Tesla ranë në 263.24 dollarë deri më 7 shtator, para se të riktheheshin përsëri.
Padia me të cilën ballafaqohet Musk shton problemet që tashmë po rriten për kompaninë, siç është vonesa në prodhimin e Modelit 3 dhe një aksident fatal që përfshin veturën vetëlëvizëse, ndër të tjera. /Telegrafi/