Elon Musk përballet me një padi prej 258 miliardë dollarësh që pretendon se manjati i teknologjisë dhe kompanitë e tij të profilit të lartë “janë të angazhuar në një skemë kriptopiramidale me anë të kriptovalutës Dogecoin”.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në dokumentet e gjykatës federale të paraqitura në Lower Manhattan, paditësi, Keith Johnson, përmend Musk si dhe kompaninë e tij të makinave elektrike, Tesla dhe firmën e turizmit hapësinor SpaceX.
Johnson, një qytetar amerikan, kërkon dëmshpërblimin për humbjet e shkaktuara nga tregtimi i Dogecoin që nga viti 2019.
Në këtë drejtim, ai po kërkon të përfaqësojë një klasë njerëzish që kanë humbur para duke investuar në Dogecoin.
Padia gjithashtu kërkon që Musk, Tesla dhe SpaceX të pushojnë së promovuari Dogecoin.
Musk, personi më i pasur në botë, pasuria neto e të cilit u vlerësua nga Forbes në 202.9 miliardë dollarë, nuk i është përgjigjur padisë.
Në fillim të këtij viti, Musk zbuloi se Tesla kishte filluar të pranonte Dogecoin për transaksione në dyqanin e saj online.
SpaceX pritet të ndjekë shembullin në të ardhmen e afërt.
Njoftimi bëri që vlera e Dogecoin të shënojë rritje në vlerë. /Telegrafi/