Telegrafi

Elon Musk padit OpenAl dhe Sam Altman

Elon Musk ka paditur OpenAl dhe bashkëthemeluesit e saj Sam Altman dhe Greg Brockman, me pretendimet se krijuesit e ChatGPT kanë shkelur marrëveshjet origjinale kontraktuale të misionit themelues të organizatës jofitimprurëse.

Musk si bashkëthemelues dhe mbështetës i OpenAl, pretendon se Altman dhe Brockman e bindën atë që të ndihmonte në gjetjen dhe financimin e startup-it në vitin 2015 me pretendimet se do të ishte një organizatë jofitimprurëse.

Marrëveshja kërkonte që OpenAl ta bënte teknologjinë “lirisht të disponueshme” për publikun, thuhet në padi.

Padia e paraqitur në një gjykatë në San Francisko thotë se OpenAl është shndërruar në një model fitimprurës pas partneritetit me Microsoft, si kompania që ka investuar rreth 13 miliardë dollarë (12,023,960,000 euro) në startup.

Ajo pason me shprehjen e shqetësimeve të Musk për ndryshimin e prioriteteve të OpenAl gjatë vitit të kaluar, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Sipas ankesës ligjore, Musk ka dhuruar mbi 44 milionë dollarë (rreth 40 milionë euro) për “organizatën jofitimprurëse” nga viti 2016 deri në vitin 2020.

Edhe pse ishte një nga kontribuesit më të mëdhenj të kompanisë, ai u largua nga bordi i OpenAl në vitin 2018.

Altman, nga ana e tij, ka trajtuar disa nga shqetësimet e Musk.

“Unë mendoj se ai është krejtësisht i gabuar për këtë çështje. Ai mund të thotë çfarë të dojë, por unë jam krenar për atë që po bëjmë dhe mendoj se do të japim një kontribut pozitiv në botë”, tha Altman gjatë një konference për kritikat e Musk.

Padia përqëndrohet edhe rreth përafrimit midis Microsoft dhe OpenAl. Madje, thuhet se kompania e Sam Altman i ka shërbyer fuqimisht interesave të Microsoft.

Përmes kësaj ankese, Musk po kërkon të detyrojë OpenAl që t’i përmbahet misionit origjinal dhe të ndalojë teknologjitë e fitimit të parave të zhvilluara brenda kompanisë. /Telegrafi/