Elon Musk thotë se nëse oferta e tij për ta blerë Twitter-in është e suksesshme, ai do të anulojë ndalimin e Donald Trump nga platforma.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, njeriu më i pasur në botë ra dakord për një ofertë 44 miliardë dollarëshe me bordin e Twitter muajin e kaluar.
Por ai tha se nuk ishte një marrëveshje e përfunduar dhe se në mënyrë ideale do të përfundonte në dy deri në tre muajt e ardhshëm.
Vendimi i Twitter për të ndaluar ish-presidentin e SHBA-së ishte “moralisht i gabuar dhe budallallëk”, tha Musk në samitin e Financial Times, “Future of the Car”.
Në janar të vitit 2021, Twitter tha se llogaria e ish-presidentit amerikan ishte “pezulluar përgjithmonë… për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës”, pas sulmit në Kapitol.
Por pronari i Tesla-s tha për Financial Times: “Unë do të anuloja ndalimin e përhershëm, por nuk e posedoj ende Twitter-in”.
“Ndalimi i Donald Trump nuk i dha fund zërit të Trump. Do ta përforcojë atë mes të djathtëve”, tha ai.
Musk tha se ndalimi i Trump ishte “një vendim i keq moral dhe marrëzi në ekstrem”.
Ai vuri në dukje se Trump kishte thënë më parë se nuk do të kthehej në Twitter edhe nëse llogaria e tij do të rivendosej.
Musk tha se kishte folur me bashkëthemeluesin e Twitter, Jack Dorsey, për çështjen e mbylljes së përdoruesve nga llogaritë e tyre të mediave sociale në përgjigje postimeve fyese.
“Ai dhe unë kemi të njëjtin mendim se ndalimet e përhershme duhet të jenë jashtëzakonisht të rralla dhe të rezervuara për llogaritë që janë robotë ose mashtruese”, tha ai.
“Unë mendoj se nuk ishte korrekte të ndalohej Donald Trump”. /Telegrafi/