Pronari i ri i Twitter, Elon Musk ka mbrojtur shkarkimin e rreth gjysmës së fuqisë punëtore të kompanisë, duke thënë se ai nuk kishte “zgjidhje” pasi Twitter po humbte më shumë se 4 milionë dollarë në ditë.
Një postim në Twitter nga Yoel Roth, kreu i sigurisë dhe integritetit të Twitter, iu referua “përafërsisht 50% shkurtime në mbarë kompaninë”.
Por Musk tha se angazhimi i gjigantit të mediave sociale për moderimin e përmbajtjes ishte “absolutisht i pandryshuar”, përcjell Telegrafi.
Musk, njeriu më i pasur në botë, mori drejtimin e Twitter në një marrëveshje prej 44 miliardë dollarësh.
Miliarderi insistoi në postimin e tij në Twitter se të gjithë atyre që humbën punën iu ofruan tre muaj pagesa të largimit, “që është 50% më shumë sesa kërkohet me ligj”.
Ndërkohë Roth shtoi se lufta kundër dezinformimit mbeti një “prioritet kryesor” gjatë zgjedhjeve afatmesme në SHBA.
Shumica e amerikanëve do të votojnë të martën, në një test kyç për presidencën e Joe Biden.
Ndërsa shkalla e shkurtimeve të vendeve të punës u bë e qartë, njoftimet e ofruara nga Twitter për zyrtarët në Kaliforni zbuluan se rreth 983 pjesëtarë të stafit ishin pushuar nga puna vetëm në atë shtet të SHBA. /Telegrafi/