Site icon Telegrafi

Elon Musk i jep fund ofertës për ta blerë Twitter-in

Elon Musk thotë se po i jep fund ofertës prej 44 miliardë dollarëshe për ta blerë Twitter-in, duke pretenduar shkelje të shumta të marrëveshjes së bashkimit.

Njoftimi i jep fund një sage të gjatë pasi personi më i pasur në botë vendosi të blinte Twitter-in në muajin prill.

Musk tha se ai ishte tërhequr pasi Twitter nuk arriti t’i jepte informacion të mjaftueshëm për numrin e llogarive të padëshiruara dhe false, transmeton Telegrafi.

Ai përballet me një tarifë ndarjeje prej 1 miliard dollarësh dhe një padi të mundshme duke u larguar.

Në muajin maj, Musk tha se marrëveshja ishte “përkohësisht në pritje” pasi ai ishte në pritje të të dhënave për numrin e llogarive false dhe ‘spam’ në Twitter.

Biznesmeni miliarder kishte kërkuar prova për të mbështetur pohimin e kompanisë se llogaritë robotike përbëjnë më pak se 5 për qind të totalit të përdoruesve të saj.

Në një letër, avokati i Musk tha se Twitter kishte dështuar ose refuzuar të jepte këtë informacion.

Aksionet në Twitter ranë me 7 për qind në tregtimin e zgjatur pas njoftimit të Musk. /Telegrafi/

Exit mobile version