Pronari i Twitter dhe CEO i Tesla, Elon Musk humbi për pak kohë titullin e tij si personi më i pasur në botë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pasuria e Musk ra në 185.3 miliardë dollarë, duke rënë pak pas pasurisë personale prej 185.4 miliardë dollarësh të Bernard Arnault, shefit ekzekutiv të kompanisë mëmë të markës luksoze Louis Vuitton, LVMH, dhe familjes së tij.
Kjo thuhet se ishte hera e parë që nga shtatori 2021 që Musk “u rrëzua” nga vendi i parë në listën e miliarderëve në kohë reale të Forbes, e cila përditësohet vazhdimisht bazuar në çmimet e aksioneve.
Megjithatë, pasi mbeti për një kohë të shkurtër pas Arnault të mërkurën, Musk doli përsëri në krye dhe dy miliarderët po vazhdonin të konkurronin për vendin e parë.
Një lëvizje e tillë pason një periudhë të turbullt për Musk, i cili shiti pjesë të konsiderueshme të pronave të tij Tesla për të financuar blerjen e tij prej 44 miliardë dollarësh në Twitter gjashtë javë më parë.
Ndryshe, aksionet e Tesla ranë rreth 4 për qind në tregtimin e mëngjesit të së mërkurës. /Telegrafi/