Telegrafi

“The Ellen Show” e DeGeneres përfundon në vitin 2022

Ellen DeGeneres njoftoi se po i jep fund emisionit të saj “The Ellen Show”.

Komedianja ka thënë për Hollywood Reporter të mërkurën se do t’i japë fund shfaqjes në vitin 2022.

“Kur ju jeni një person kreativ, ju duhet vazhdimisht të sfidoheni dhe sa e mrekullueshme të jetë kjo shfaqje dhe sa argëtuese të jetë, nuk është më një sfidë”, tha ajo.

Ellen DeGeneres (Foto: NBC)

“Ellen DeGeneres Show” aktualisht është në sezonin e tij të 18-të dhe do të përfundojë pas sezonit të 19-të.

Një burim i tha Daily Mail, i cili raportoi lajmin herët të mërkurën, se “Ellen e di që koha e saj ka mbaruar”.

“Shfaqja mori kritika të shumta që kur mjedisi toksik përreth Ellen u bë i ditur”, shtoi burimi.

Ellen DeGeneres (Foto: Jordan Strauss/Invision/AP)

Shfaqja ditore e DeGeneres po ashtu kishte rënë ndjeshëm në shikueshmëri pas skandalit në vendin e punës që dominonte titujt vitin e kaluar.

Sipas disa vlerësimeve, “The Ellen DeGeneres Show” humbi mbi një milion shikues gjatë sezonit aktual të shfaqjes.

Premiera e sezonit të 18-të kishte vlerësimet më të larta të çdo sezoni në katër vitet e fundit për “Ellen”. Sidoqoftë, gjatë gjashtë muajve të fundit, shfaqja ka mesatarisht 1.5 milion shikues.

Sezoni i fundit i programit filloi në shtator 2020 me një kërkim falje nga prezantuesja, pas akuzave të njëpasnjëshme që u bënë. /Telegrafi/