Site icon Telegrafi

Elisabetta Belloni, gruaja e parë në Itali që drejton Shërbimet Sekrete

Elisabetta Belloni është bërë gruaja e parë që do të udhëheqë shërbimet sekrete të Italisë.

Kryeministri italian, Mario Draghi, njoftoi se ish-ambasadorja Belloni është zgjedhur në krye të Departamentit të Sigurisë së Informacionit.

Departamenti mbikëqyr shërbimet e huaja dhe të brendshme të inteligjencës së vendit dhe i raporton drejtpërdrejt Qeverisë italiane.

E lindur në vitin 1958, Belloni ka qenë një nga vajzat e para që i është bashkuar Institutit prestigjioz – dhe dikur ekskluzivisht vetëm për meshkuj – Massimiliano Massimo në Romë, ku ka studiuar edhe kryeministri Draghi.

Pasi ka shërbyer si diplomate në Vjenë dhe Bratislavë, ajo ka drejtuar njësinë e krizës në Ministrinë e Jashtme italiane nga viti 2004 deri më 2008.

Gjatë asaj kohe, ajo është marrë me shtetasit italianë të vrarë ose të plagosur jashtë vendit, përfshirë kidnapimet në Afganistan dhe Irak, dhe ka mbikëqyrur operacionet e shpëtimit të italianëve të prekur nga cunami shkatërrues në Oqeanin Indian, në vitin 2004.

Emërimi i saj në pozitën e re u mirëprit nga politikanët italianë.

“Një grua e guximshme”, tha kryetari i partisë Lega Nord, Matteo Salvini. /oranews.tv/

Exit mobile version