Përkundër viteve, këngëtarja e mirënjohur Eli Fara vazhdon të jetë një nga emrat më të pëlqyer në skenën muzikore shqiptare.
Ajo së fundmi ka qenë e ftuar në rubrikën “Tani mund të këndosh” tek E Diela Shqiptare, ku ka folur për jetën dhe karrierën e saj profesionale.
Artistja shqiptare mes tjerash ka treguar se si është njohur me ish-bashkëshortin dhe arsyen se përse u nda nga ai.
Ardit Gjebrea: Nuk ke folur asnjëherë për jetën tënde private, nuk të kam dëgjuar, është një vajzë në jetën tënde, si erdhi, cila është historia?
Eli Fara: Vajza ka ardhur në jetë kur unë isha shumë e re, isha vetëm 18 vjeç, kështu që kuptohet se jam martuar shumë e re në një situatë jo fort komode. Jo fort komode edhe për ta thënë. Unë isha në shkollën e mesme dhe studioja për kanto dhe merrja pjesë në aktivitete kulturore. Shumë shpesh isha për prova në pallatin e kulturës dhe aty kalonin djem çapkënë korçarë. Njëri prej tyre mu qep keq, nuk shpëtova dot.
Ishte dashuria e parë, ato emocionet e para, ndjenjat që të lindnin për dikë që nuk e di se kush është. Unë u dashurova vetëm duke parë pamjen. Ishte çun simpatik dhe nuk mendoja për të tjerat sepse isha adoleshente, nuk më interesonte se kishte një shkollë, profesion apo çfarë punonte, apo se çfarë bënte në jetë. Unë isha 17 vjeç, shumë shpejt familja e mori vesh që unë po dilja me dikë dhe u bë një shqetësim, tërmet i madh.
Jetonim bashkë të gjithë xhaxhallarët e mi, me dajën, me hallat, ishin shumë familje që rrinin bashkë dhe bëheshin me njëri-tjetrin shumë. Fisi bëri një mbledhje të madhe dhe kujtoj që u ndjeva e fyer dhe e turpëruar sepse ndoshta varet nga karakteri dhe natyra, kisha një krenari të tepruar edhe pse shumë e re dhe vendosa që nëse djali do pranonte, unë do ikja nga shtëpia. Ai u tregua i gatshëm dhe ndodhi. Sigurisht tani që jam pjekur, që kam Marinën, nuk jam krenare për atë që bëra, por janë gabime të një moshe shumë të re.
Ardit Gjebrea: Çfarë të bëri që të ikje, dashuria?
Eli Fara: Nuk isha e sigurt nëse më bëri dashuria të largohesha, por u ndjeva e lënduar, e mendova veten që mbas kësaj që ndodhi në qoftë se do rrija, do kisha turp t’i shihja në sy njerëzit e familjes dhe të afërmit dhe nga kjo u nisa. Gjithsesi në mendjen time e kisha që isha e përgatitur në jetë sepse nuk kisha ndonjë jetë të mirë, si të gjitha familjet shqiptare që janë rritur në vuajtje. Ishim pesë fëmijë, të gjithë kemi punuar në verë dhe kemi ndihmuar, nuk më trembte puna dhe kisha në mendje diçka që çfarëdo që të ndodhë, sido që të vijë unë do t’ia dalë”.
Siç e theksoi, Eli ka një vajzë të quajtur, Marina me ish-bashkëshortin, e cila është mjaft prezentë në shtypin rozë. /Telegrafi/