Telegrafi

Elezi tregon gjithçka që ndodhi në mbledhjet e NISMA-s (Video)

Nënkryetari i Degës së NISMA për Kosovën në Drenas, Shemsi Elezi i cili sot ka dhënë dorëheqje bashkë me kryetarin dhe disa anëtarë të kësaj dege, në shenjë pakënaqësie për lidhjen e koalicionit me AAK-në, ka qenë sonte në studion e “Kontaktit” për të dhënë shpjegime për hapin që kanë marrë.

“Ne nuk ishim kundër që të ndodhë një koalicion i ardhshëm me AAK-në, por ne kërkuam që çdo veprim të matet mirë, pasi përçarja e opozitës veç ndodhi, atëherë veprimet e ngutshme po shkaktojnë probleme në të ardhmen”, ka thënë Elezi.

Ai ka treguar edhe se si ka rrjedhur diskutimi në Këshillin Drejtues të NISMA-s në qendër. “Unë si pjesë e Këshillit Kombëtar kam votuar kundër këtij projekti duke marrë parasysh se ishte vërtetë një çështje e ngutshme dhe qëllimi i im dhe i disa të tjerëve ka qenë që të vazhdojmë si opozitë e bashkuar dhe t’i shterim të gjitha mundësitë që të mos përçahej fronti opozitar”, ka thënë ai. Elezi thotë se shumica e anëtarëve të Këshillit Drejtues kanë qenë kundër që të bëhet një koalicion i tillë.

Ai ka thënë se çështja e koalicionit është diskutuar shumë shkurt, menjëherë pas disa takimeve të krerëve të opozitës. “Unë kam kërkuar që vendimi për koalicion të shtyhet deri pas zgjedhjeve brenda partisë të cilat do të përfundonin me 25 qershor”, ka thënë Elezi. Ai gjatë bisedës ka rrëfyer edhe për një ofertë të cilën e kishin pranuar një vit më parë nga LDK-ja për të hyrë në qeveri.

“Vitin e kaluar e kemi pasur një ofertë nga LDK-ja që të hyjmë në qeveri. Kjo ofertë është bërë pasi që është nënshkruar koalicioni me PDK-në. Kjo ofertë është diskutuar në Këshillin Kombëtar dhe është votuar kundër dhe ka qenë veprimi i qëlluar. Njëjtë është dashtë të diskohet edhe ideja për koalicion me AAK-në, jo të ngutet”, ka treguar Elezi.