„Zbatimi i reformave në fushat e përgjegjësisë menaxheriale, planifikimit strategjik dhe financiar, inspektimin financiar dhe cilësinë e sistemeve të kontrollit të brendshëm të sektorit publik është një sfidë serioze. Vendi ynë po zbaton intenzivisht reformat në këto fusha, me qëllim të përmirësimit të sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit të fondeve publike “, tha zëvendësministrja e financave Shiret Elezi në përmbylljen zyrtare të Konferencës së pestë rajonale të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik të mbajtur në Shkup.
Në Konferencë u shkëmbyen përvoja në fushën e përgjegjësisë menaxheriale që do të ndihmojnë në arritjen e qëllimeve të sektorit publik dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sektorin publik.
“Ministria e Financave ka bërë përpjekje të konsiderueshme vitet e fundit në fushat e menaxhimit financiar dhe kontrollit, kontrollit të brendshëm dhe inspektimit financiar dhe ka realizuar me sukses aktivitetet për krijimin e parakushteve për krijimin dhe zhvillimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar”, tha zëvendësministrja Elezi.
Në këtë konferencë fjalim kishte edhe Rejmond Hill, drejtuesi i ekipit për kontrollin e brendshëm financiar publik në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian për Buxhet.
“Komisioni Europian promovon bashkëpunim të vazhdueshëm midis të gjitha vendeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo konferencë në Republikën e Maqedonisë Veriore ka qenë një sukses i madh dhe vendet kanë treguar përparim në përmirësimin e sistemeve të tyre të kontrollit të brendshëm. Komisioni Europian do të vazhdojë të sigurojë mbështetje teknike për zbatimin e mëtejshëm të reformave”, tha Hill.
Shkëmbimi i përvojave në fushën e kontrollit të brendshëm financiar publik ka një rëndësi të madhe duke pasur parasysh që krijimi i një sistemi efikas rrit efikasitetin e përdorimit të fondeve publike. Në të njëjtën kohë, funksionimi efektiv i sistemit të kontrollit të brendshëm publik është shumë i rëndësishëm për operimin e mbajtjes së amvisërisë, transparencë dhe punë të përgjegjshme.
Përndryshe, në mars të këtij viti, Qeveria e Republikës së Maqedonisë Veriore miratoi dokumentin “Politika e Kontrollit të Brendshëm Financiar të Sektorit Publik me Planin e Veprimit 2019-2021”. Ky është një dokument strategjik për zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit të kontrollit të brendshëm në sektorin publik në vendin tonë.
Sipas planit të veprimit të këtij dokumenti, disa nga aktivitetet e parashikuara në periudhën e kaluar tashmë janë realizuar, siç është përgatitja e Projektligjit për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik.