Site icon Telegrafi

Janë rinumëruar 443 vendvotime

Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të 1,407 vendvotimeve nga zgjedhjet e 6 tetorit, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Nga Komisioni Qendror i  Zgjedhjeve (KQZ), kanë bërë të ditur për Telegrafin se deri tani janë rinumëruar 433 vendvotime nga 1,407 sosh, sa ka urdhëruar PZAP-i të rinumërohen.

“Gjatë ditës së shtunë, 16 nëntor, janë rinumëruar 134 vendvotime. Pra, në përgjithësi sipas të dhënave të deritashme, numri i vendvotimeve të rinumëruara është 433 vendvotime, apo rreth 31% e vendvotimeve të parapara për rinumërim”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, për Telegrafin

Ndërsa, koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë të premten se do të rinumërohen vetëm 1 mijë e 407 vendvotime dhe jo 1 mijë e 472 siç është thënë me herët në vendimin e PZAP-it.

Ndryshe, procesi i rinumërimit po përcillet me tensione mes  vëzhguesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të Nismës Socialdemokrate.

Vëzhguesi i NISMA-s, Behar Amerllahu, të shtunën është larguar nga Qendra e Numërimit të Rezultateve.

Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, ka thënë ai ka përdorur fjalë fyese ndaj stafit dhe tij.

“Përveç kësaj, ndaj meje ka përdorur edhe gjuhë kërcënuese. Krejt kjo për shkak të një kontestimi të një fletëvotimi, përkatësisht vlefshmërisë së tij, e për të cilën çështje që nga dje e kemi vendimin e PZAP-it, me të cilin i ka sqaruar këto situata dhe ne jemi të obliguar ta respektojmë”, ka thënë Ahmetaj.

Kujtojmë se ky rinumërim vije pas vendimit të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cli ka pranuar 53 ankesa të bazuara dhe prej tyre për 52 ankesa Paneli ka vendosur që të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e 1,472 vendvotimeve./Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version