Site icon Telegrafi

Elezi: Deri më tani janë procesuar 44.33% e të dhënave për subjektet politike, dhe 35.11% për kandidatët

Foto: Arkiv

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u proceduar me futjen e të dhënave nga formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve, të cilat janë plotësuar në vendvotime nga anëtarët e Këshillave të Vendvotimit në ditën e zgjedhjeve pas numërimit të fletëvotimeve.

Kështu tha para mediave, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Elezi shtoi se nga 2 mijë e 382 vendvotime, deri më tani janë procesuar të dhënat e formularëve të subjekteve politike për 1 056 vendvotime (44.33%) si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për 841 vendvotime (35.11%).

“Po ashtu, në QNR, Shërbimi Votues i KQZ-së ka filluar procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt. Ky proces ka për qëllim të verifikojë nëse pakot në fjalë janë dërguar nga votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo nëse pakot e dërguara plotësojnë kriteret ligjore”, tha Elezi.

Ai shtoi se në fund të këtij procesi të vlerësimit, i cili do të  marrë kohë disa ditë, do të dimë se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit.

Elezi theksoi se nga pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet, tashmë kemi një raport lidhur me gjendjen e vendvotimeve.

“Nga 2 mijë e 382 vendvotime, një numër i vogël i tyre, vetëm rreth 80 sosh, nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për arsye të ndryshme: mospërputhje të nënshkrimeve; apo formularë të rezultateve të panënshkruar nga Anëtarët e Këshillit të Vendvotimit. Këto vendvotime do të shikohen më në detaje për problemet që kanë dhe në bazë të të gjeturave do të përgatitet një raport me rekomandime i cili do të paraqitet në KQZ”, tha Elezi. /Telegrafi/

Exit mobile version