Sot, në Prekaz, aty ku i ka rrënjët liria, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, së bashku me bashkëpunëtorë dhe qytetarë, ka bërë homazhe në nderim të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit që ranë heroikisht për lirinë e Kosovës.
“Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe sakrificat e komandantit Jashari, familjes Jashari dhe gjithë luftëtarëve të lirisë mbeten në kujtesën dhe krenarinë tonë kombëtare. Rënia heroike e Jasharajve, flijimi i tyre për lirinë dhe atdheun është unike dhe e paharruar,” tha Elezaj.
Kryetari Elezaj theksoi se, megjithëse humbja e komandantit Adem Jashari ishte një goditje e rëndë për UÇK-në në fillimet e saj, luftëtarët e lirisë vazhduan me guxim dhe vendosmëri për të realizuar amanetin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Lavdi dhe mirënjohje përjetësisht për komandantin Adem Jashari dhe për gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës,” shtoi Elezaj./Telegrafi/