Site icon Telegrafi

ELEM do të shpenzoj rreth tetë milionë euro për sigurime

Kompania shtetërore ELEM do të shpenzoj rreth 8 milionë euro për sigurimin e pasurisë dhe punonjësve. ELEM do t’i sigurojë kombinatin “TEC Manastiri” dhe kombinatin “TEC Oslomej” për thuajse 5 milionë euro në rast të ndonjë fatkeqësie nga zjarri. Për gjysmë milionë euro, ELEM do të bëj sigurim KASKO për të gjitha automjetet dhe shumën e njëjtë do ta paguaj për sigurim kolektiv të punonjësve. Mes të tjerave, ELEM i siguroi kompjuterët e kompanisë. Biznesin milionësh për sigurimin e pasurisë në ELEM e fituan dy kompani sigurimesh. Kontrata do të vlejë dy vjet, ndërsa një nga kushtet për fitimin e tenderit ka qenë çmimi më i ulët, njofton Alsat-M

ELEM në periudhën e kaluar është në fokus të opinionit. Për kohë të shkurtë, Specialja hapi dy raste në të cilat është përfshirë kjo kompani. Rasti i parë është “Tarifa”. Katica Janeva opinionit i prezantoi rast për të cilin provat tregojnë se shtatë nëpunës të ELEM-it e kanë shpërdorur pozitën gjatë furnizimit dhe implementimit të sistemit të softuerit.

Prokuroria Speciale dyshon se të dyshuarit kanë mundësuar që një kompani e cila nuk i ka plotësuar kushtet e tenderit, të kalojë në fazën e dytë edhe përkundër dokumentacionit jo të plotë. Është nënshkruar kontratë në vlerë prej 4 milionë euro. Sistemi nuk është instaluar ndërsa ELEM paguan për mirëmbajtje. Në këtë mënyrë, është shkaktuar dëm prej 450.000 euro./Telegrafi/

Exit mobile version