Telegrafi

I ekzekutuari në Sukth të Durrësit ishte akuzuar për vrasjen e ish-kampionit të bilardos

Juxhin Dauti është personi i dytë që ka mbetur i vrarë gjatë atentatit me armë zjarri ditën e sotme (e martë) në autostradën Tiranë-Durrës, nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të mjetit me të cilin udhëtonin. Në atentat mbeti i vrarë edhe ish-shefi i Krimit Ekonomik në Tiranë, Ervin Dalipaj.

Dauti është akuzuar më herët për vrasjen e Fatjon Banit, ish-kampion i bilardos në Vlorë, ngjarje për të cilën u shpall i pafajshëm. Ngjarja u shënua rreth orës 19:30 të 17 marsit 2012 në Vlorë.

Lexo po ashtu Ndërtohet skema si ndodhi ekzekutimi i dyfishtë në Sukth të Durrësit

31-vjeçari Fatjon Bani u ekzekutua me tre plumba në trup, teksa lëvizte me makinën e tij në lagjen “Pavarësia” dhe konkretisht në afërsi të godinës së repartit të zjarrfikësve. Për ngjarjen u dyshua si autor, shoku i tij, Juxhin Dauti, 22 vjeç në atë kohë, bën të ditur BalkanWeb.

Sipas hetuesve të çështjes, dy të rinjtë ishin duke udhëtuar bashkë në automjetin tip “Peugeot” me targa italiane, pas stadiumit të Vlorës, dhe gjatë kësaj kohë dyshohet se Dauti e ka qëlluar Fatos Banin me pistoletë. Për sa i përket motivit të krimit, dyshohet se mund të ketë qenë sherr i momentit, pasi dy të rinjtë njiheshin si shokë (ishin dhe fqinjë).

Por, pas hetimit të ngjarjes dhe gjykimit të çështjes, Juxhin Dauti rezultoi i pafajshëm.

Ndryshe, 31-vjeçari Fatjon Bani njihej si kampioni i bilardos në qytetin bregdetar. Ai ka fituar kampionatin kombëtar në vitin 2003, kupën e Republikës në 2006-ën, si dhe titullin kampion në shumë kampionate, si brenda dhe jashtë vendit. Gjatë kësaj kohe ai menaxhonte një lokal në afërsi të konsullatës italiane në Vlorë, së bashku me familjen.