Site icon Telegrafi

Ekzekutivi në Ferizaj gjatë këtij viti asfalton mbi 50 kilometra rrugë lokale

Ekzekutivi i komunës së Ferizajt që udhëhiqet nga kryetari Agim Aliu, gjatë këtij viti ka realizuar një varg projektesh infrastrukturore me qëllim që secila lagje urbane ta ketë të rregulluar trotuarin, ndriçimin, asfaltin, kanalizimin e ujësjellësin.

Sektori për infrastrukturë në këtë komunë gjatë këtij viti për projekte kapitale ka shpenzuar rreth 5 milion euro.

Meriton Hajdini drejtor i infrastrukturës në komunën e Ferizajt, në një intervistë për telegrafin, ka thënë se po e përmbyllin vitin 2024 me një varg suksese duke u arsyetuar se janë asfaltuar mbi 50 kilometra rrugë lokale dhe dhjetëra kilometra ndërtime të kanalizimit e ujësjellësit.

“Këtë vit kemi zhvilluar mjaft shumë projekte, si projekte për asfaltimin e rrugëve lokale që në zonën urbane kemi zhvilluar projekte edhe për ujësjellës dhe kanalizime. Vetëm në rrugë lokale në Ferizaj këtë vit janë asfaltuar mbi 50 kilometra, duke u nisur nga rrugicat në fshatin Jezerc dhe në fshatra të ndryshme si në fshatin Prelez, fshatin Mirash, fshatin Greme, fshatin Burnik, në fshatin Pleshinë, fshatin Zaskok dhe pothuajse në të gjitha fshatrat tjera si Sojevë, Dardani, Zllatar, Zaskok e të tjera”, ka thënë Hajdini.

Sipas tij, janë bërë asfaltime edhe në rrugë kryesore që lidhen me rrugën e Gjilanit dhe Prishtinës.

“Është asfaltuar rruga kryesore në fshatin Prelez, e cila është mbi dy kilometra dhe gjithashtu është punuar në secilën zonë dhe në secilën lagje të qytetit. Pastaj është përfunduar rruga “Ahmet Kaçiku”, pastaj është bërë rikonsttuimi i rrugës “Besim Rexhepi” deri te rrethi në hyrje. Po ashtu është asfaltuar edhe rruga “Cen Dugolli” në zonën urbane si rrugë mjaftë e rëndësishme”, ka thënë më tej Hajdini.

Ai po ashtu ka shtuar se janë duke punuar te ura që lidh autostradën me Gjilanin në fshatin Bibaj, e cila rrugë do të bëhet me katër kursi.

Hajdini, ka treguar edhe për rrjetin e kanalizimit dhe të ujësjellësit në lokalitete.

“Po thuajse është përfundu i gjithë rrjeti në fshatin Greme, faza e dytë ku janë  përfunduar mbi një mijë e 500 kyçje shtëpiake në këtë fshat. Ndërkaq, në këtë vit kemi filluar edhe në zonën e Grykës, apo siç njihen në fshatrat Nerodime, Jezersë dhe Manastirës për rregullimin e çështjes së ujit, ku kemi filluar 1200 kyçje  shtëpiake, ndërkohë është përfunduar edhe pjesa e rezervarit dhe pjesa e kaptazhave. Sa i përket kanalizimit kemi vazhduar me segmente sipas nevojës për ndërtim dhe riparim të gypave si në Miroaslë, Dardani, Zllatar, Greme e të tjera”, ka thënë Hajdini. /Telegrafi/

Exit mobile version