Halil Haklaj ndiqej nga UDB-ja jugosllave dhe në vitin 1988, një gjykatë e dënon për akuzat e furnizimit të guerrilasve me armë dhe kalim të paligjshëm kufiri. Lidhja kryesore e vëllezërve Haklaj me UÇK-në ishte major Ilir Konushevci, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Ramush Haradinajt.
Djali i dytë i familjes Haklaj, Halili ka qenë anëtar i Partisë së Punës dhe ishte infiltruar para vitit 1990 nga Sigurimi i Shtetit për krijimin e një Fronti Rezistence në Kosovë. Sipas informacioneve, Halili ka qenë personi që ka siguruar një takim mes kreut të organizatës së rezistencës Mentor Kaçi dhe Ramiz Alisë.
Në lidhje me vrasjen e Ilir Konushevcit, dhe lidhjen e tij me Haklajt, ka folur në Top Story, motra e Haklajve, Zylfije Haklaj.
“Fatmiri kishte shumë shoqëri me Ilir Konushevcin, i cili ka qenë një nga kryesorët e UÇK-së, ka qenë furnitori. Hazir Mala ka ndihmuar, UÇK-në, ka ndihmuar furnitorët e UÇK-së”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
Për Ilir Konushevcin dhe Fatmir Haklajn, flet edhe veterani i UÇK-së, Avni Ajeti.
“Po kam pirë kafe më herët me Ilirin dhe Fatmir Haklaj 4-5 herë dhe aty ka qenë gjithmonë grumbullimi se sa ka mujt me siguru armatim për UÇK-në ”, tregon Avni Ajeti, në Top Channel.
Ishte data 9 Maj e vitit 1998. Ilir Konushevci kishte marrë ngarkesën e radhës me armë në Shqipëri dhe ishte nisur drejt Kosovës. Drejtues i kamionit ishte një ushtar i UÇK-së ndërsa në mjet me ta ishte edhe mjeku Hazir Malaj, i njohur si lidhje e afërt me vëllezërit Haklaj. Ai ishte babai i Arjan Malajt, i ekzekutuar nga fisi rival i Haklajve në muajin Shkurt të atij viti.
Kamioni u nis përmes aksit të vështirë Qafë Mali-Fierzë-Bajram Curri. Sapo kalon fshatin Miliska, në vendin e quajtur Poravë, kamioni has në një pritë. Disa persona të armatosur rëndë hapin zjarr me breshëri ku Konushevci plagoset rëndë ndërsa mjeku Malaj shpëton pa lëndime.
Shoferi merr lëndime të lehta dhe sigurohet në një pozicion nga ku kundërpërgjigjet me zjarr. Një prej autorëve të pritës mbetet i plagosur rëndë. Në këtë moment, grupi i tyre tërhiqet me shpejtësi. Ata i drejtohen spitalit të Bajram Currit ku mbërrin i vdekur Agim Demiri.
Mjeku Hazir Malaj merr në krahë Konushevcin e plagosur rëndë dhe niset në këmbë për të kërkuar ndihmë në drejtim të Fierzës. Pasi kishte ecur pak kilometra, autorët e sulmit të parë kishin bërë një pritë të dytë pikërisht në këtë vend që shihni rreth 3 kilometër larg hidrocentralit të Fierzës.
“Dhe në këtë kohë Konushevci ka qenë i plagosur dhe Bislim Demiri me disa të tjerë udhëtuan sërish drejt Miliskajës i kanë vrarë, i kanë tërhequr zvarrë kufomat”, tregon Zylfije Haklaj.
Ndërsa, Avni Ajeti thotë se Ilir Konushevci i kishte zbatuar udhërat që i vinin nga lartë, e që sipas tij agjenda i kishte ndryshuar disa herë.
“Sipas disa informatave që kemi, Ilir Konushevcit i ka ndryshuar agjenda 2-3 herë. Sië i ka ardhur urdhri Ilirti nga lart, ka vepruar. Mbasdite definitivisht Ilirit i është thënë se duhet me udhëtu, tutje nuk e di çka të them”, tregon Ajeti.
Ndaj mjekut Malaj dhe Konushevcit derdhen breshëri të egra kallashnikovi dhe këtë herë e patën të pamundur të reagojnë. Ata mbeten të vdekur në vend. Autorët e krimit i tërheqin zvarrë trupat dhe i fshehin poshtë një ure ku i mbulojnë me gurë.
Bislim Demiri, akuzohej nga Haklajt si organizator i pritës.
Motra e Haklajve zbulon për herë të parë në këtë intervistë se Konushevci, ka pasur kontakte edhe me Bislim Demirin. Nuk dihet arsyeja por besohet se ajo lidhet me krijimin e kushteve për kalimin e armëve drejt Kosovës.
“Fatmiri e kishte këshilluar mos ti besonte Bislim Demirit meqenëse kishte lidhje me Draganin, një ndër serbët më të rrezikshëm në Koranicë, kishte dërguar shumë naftë në Serbi kundër Kosovës e Bosnjës. Por, ai i besonte aq shumë sa i kishte dhuruar pistoletën, thuhet se atë ditë pistoleta e Konushevcit kishte qëlluar mbi vetë Konushevcin”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
“Padyshim që në të shumtën e rasteve kemi blerë dhe për ne kanë qenë të njëjtë. Kushdo që ka ofruar armatim ne kemi qenë të detyruar dhe të obliguar që të komunikojmë”, tregon Avni Ajeti, Veteran i UÇK-së
E vërteta e vrasjes së Konushevcit dhe Malajt nuk u zbardh kurrë nga drejtësia. Hetuesit nuk arritën të bëjnë lidhjen e ngjarjes së Miliskajës me kufomën e Agim Demirit në spitalin e Bajram Currit.
Por, lidhjen arriti ta bëjë vetë Fatmir Haklaj që kishte mbërritur në vendngjarje. Për të nuk kishte dyshim se Demiri ishte organizatori. Ky i fundit do të ishte vetë viktimë e hakmarrjes. Në 28 Gusht të vitit 1998 ai do të ekzekutohej në Bajram Curri.
“Ne nuk kemi të dhëna që Fatmiri ka bërë një veprim të tillë, por edhe nëse e ka bërë e ka bërë në rangë kombëtar”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve. /tch/
Për të parë videon klikoni KETU