Telegrafi

Ekuadori goditet nga ndërprerja e energjisë elektrike në mbarë vendin duke lënë 17 milionë banorë në errësirë

Ekuadori është goditur nga një ndërprerje gjithëkombëtare disa orëshe që ka lënë pa energji elektrike 17 milionë banorë të Amerikës së Jugut.

Bëhet e ditur se ndërprerja e cila preku spitalet, shtëpitë, dhe një sistem të madh të metrosë, është shkaktuar nga problemet e mirëmbajtjes dhe transmetimit të sistemit elektrik të vendit.

“Ndërprerjet që patëm sot ishin për shkak të mungesës së investimeve në mirëmbajtje, transmetim të ri elektrik dhe mbrojtje të infrastrukturës së transmetimit elektrik”, tha Ministri i Infrastrukturës Publike, Roberto Luque.

Për fat të mirë, energjia shpejt është rikthyer në 95 për qind të territorit të vendit, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Siç raportohet, në kryeqytetin e Quitos, dy spitale dhe një qendër mjekësore për fëmijë kanë humbur energjinë gjatë ndërprerjes, por ishin në gjendje të mbështeteshin te gjeneratorët e tyre.

“Energjia u ndërpre, por ne kemi gjeneratorët tanë”, tha një mjek nga spitali Luis Vernaza i Guayaquil.

Nga ndërprerja është prekur edhe sistemi i metrosë së Quitos, me kryebashkiakun e kryeqytetit, Pabel Munoz, i cili tha se ndërprerja ka prekur metronë, pavarësisht se ajo përdorte “një sistem të izoluar elektrik”.

Por, sipas Luque, kjo ndërprerje mund të ishte shmangur nëse Ekuadori do të kishte hartuar një plan investimi “për të mbrojtur infrastrukturën si në gjenerimin e energjisë, ashtu edhe në transmetimin e saj”, pas një ndërprerjeje të ngjashme në vitin 2004.

Ndryshe, Ekuadori ka vite që po lufton me krizë energjetike.

Presidenti Daniel Noboa në prill shpalli një emergjencë energjetike dhe urdhëroi ndërprerje tetë-orëshe të energjisë në mbarë vendin, shkaku i një thatësire që ndikoi në prodhimin e saj. /Telegrafi/