Ekuadori thotë se ka qenë cak i mbi 40 milionë sulmeve kibernetike që kur Julian Assange u arrestua pesë ditë më parë.
Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, i hoqi Assange statusin e azilit të enjten, duke lejuar policinë e Mbretërisë së Bashkuar të arrestonte atë në ambasadën e Londrës, në të cilën ai qëndroi për gati shtatë vjet.
Kjo ndodhi pasi që Moreno e akuzoi Assange për ndërhyrjen në “proceset e shteteve të tjera” dhe “spiunim”.
Por, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, që nga arrestimi, një numër i madh sulmesh në internet janë drejtuar në faqet e internetit të qeverisë ekuadoriane nga grupe në mbështetje të themeluesit të WikiLeaks.
Kështu së paku citohet të ketë thënë për AFP, Patricio Real, zëvendësministri i vendit për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit.
Siç thuhet tutje, pjesa më e madhe erdhi nga SHBA, Brazili, Holanda, Gjermania, Rumania, Franca, Austria dhe Britania e Madhe.
Ndërsa Javier Jara, nënsekretar i departamentit të qeverisjes elektronike të ministrisë së telekomunikacioneve, tha për AFP se sulmet ishin “volumetrike”. /Telegrafi/