Site icon Telegrafi

Ekstradohet pjesëtari i një grupi kriminal nga Suedia në Shqipëri, transportonte me skaf emigrantë ilegalisht drejt shteteve të BE-së

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se është ekstraduar nga Suedia në Shqipëri pjesëtari i grupit kriminal, që ka transportuar emigrantë ilegalisht drejt shteteve të BE-së, me skaf.

Në njoftimin për media Policia bën të ditur se si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve policore, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Suedi, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të arrestuar në Suedi, K. K. alias K. M., 34 vjeç, i lindur në Fier.

“Grupi ku bënte pjesë ky shtetas, gjatë viteve 2020 dhe 2021, ka transportuar emigrantë, drejt shteteve të BE-së, ilegalisht, me skaf”, thuhet në njoftim.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

Shtetasi K. K. alias K. M. akuzohet se gjatë periudhës 2020-2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka transportuar ilegalisht me skaf drejt Italisë dhe shteteve  të tjera, kundrejt fitimeve, emigrantë sirianë, egjiptianë dhe iranianë. /Telegrafi/

Exit mobile version