Telegrafi

Ekstradohet nga SHBA vrasësi shqiptar me dy emra

Policia e Shtetit ka ekstraduar nga SHBA një shtetas shqiptar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i akuzuar për vrasje dhe që kishte në përdorim dy emra.

Bëhet fjalë për 34-vjeçarin nga Puka, Arlind Hyseni alias Shpend Mazari, i dënuar me 25 vite burgim nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “Vjedhja, me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Policia ka publikuar pamjet, që tregojnë momentin kur 34-vjeçari mbërrin në Rinas, i cili siç duket, është me kokën ulur dhe i mbuluar me një kapuç.

Hyseni akuzohet për një ngjarje të rëndë të ndodhur 15 vite më parë, në vendin e quajtur rruga “Besa”, Tiranë, ku ai, në bashkëpunim me shtetasin F. M. ka tentuar të kryejë vjedhje me armë në banesën e shtetasit M. S.

Pas rezistencës së bërë nga banorët, autorët kanë shtënë me armë zjarri, duke vrarë shtetasin G. S. dhe plagosur rëndë shtetasit M. S. dhe H. S. /BW/