Site icon Telegrafi

I fshehur në Emiratet e Bashkuara Arabe, ekstradohet në Shqipëri Bruno Çobo, Balla: Faqe e re bashkëpunimi

Policia shqiptare njofton ekstradimin nga Emiratet Arabe të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtare Bruno Çobo, i cili dyshohet se ka përfituar rreth 4,700,000 euro, nga skema e mashtrimit.

Në një njoftim për mediet, Policia e Shtetit bën të ditur se në kuadër të marrëveshjes së ekstradimit që është në proces mes 2 vendeve, është intensifikuar bashkëpunimi për lokalizimin e shtetasve që i fshihen drejtësisë shqiptare, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve për këtë qëllim, është finalizuar operacioni policor i koduar “Zinxhiri”, për ekstradimin e thjeshtuar të një 28-vjeçari shqiptar të akuzuar nga SPAK-u, si pjesëtar i një grupi të strukturuar që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet një call center-i. Grupi kriminal dyshohet se ka përfituar rreth 4 700 000 euro, nga skema e mashtrimit. 28-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është lokalizuar në Abu Dhabi, pas shkëmbimit të informacioneve mes Drejtorisë së Interpolit, Departamentit të Policisë Kriminale dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe”, bën të ditur Policia e Shtetit.

Lexo po ashtu Realizohet ekstradimi i parë nga Dubai drejt Shqipërisë

“Shtetasi B. C., 28 vjeç, ka bërë kërkesë për t’u kthyer me dëshirë dhe ditën e sotme është bërë deportimi i tij në Shqipëri. Ky shtetas akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale ”Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, ”Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale””, vijon njoftimi i Policisë.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ka përgëzuar Policinë e Shtetit për ekstradimin e realizuar të Bruno Çobos.

“Një përgëzim i meritur për Interpol Tirana Policia e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe për rezultatet e muajve të fundit në gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare. Me ekstradimin e thjeshtuar përmes deportimit, të realizuar sot nga Emiratet e Bashkuara Arabe është hapur një faqe e re e bashkëpunimit, me këtë vend mik dhe partner, në luftën kundër pandëshkueshmërisë”, shkruan Balla. /Telegrafi/

Exit mobile version