Parlamentarët serbë, sikur e "hapën zemrën", në vigjilje të ndërrimit të motmoteve, të vetëve, në Kosovë, u kanë ndarë dhurata. Me gjasë, ato do t’i marrin.
Serbia assesi të këndellet. Ajo vazhdon lojën me pyka, lojën e minimit të proceseve demokratike në shtetin fqinj, Kosovën duke financuar strukturat paralele. Mbase, mund të mburret jo vetëm presidenti serb Boris Tadiqi, por edhe ministri i tij Vuk Jeremiqi, se po bëjnë punë të madhe.
S’e heqin nga "rendi i ditës" Kosovën, shtyhen, bëjnë gara se kush është më patriot se tjetri. Serbët, që u bënë gazi i botës, marrin guximin në parlamentin e tyre, nga buxheti i miratuar për 2010-ën, një hise t’ia dedikojnë strukturave paralele matanë lumit Ibër, në shumë prej 42 milionë euro.
Serbia është shah në veti, para syve të botës "prodhon" krimin, financon hordhitë, pasardhësit e Sllobodan Millosheviqit, për ta trazuar gjendjen në Kosovë. Këtë ka pikësynim.
Nuk çan kokën ajo pse përzihet në punët e brendshme të Kosovës, pavarësia e së cilës është njohur nga shtetet më të fuqishme në botë, Amerika, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia, Japonia, Kanada…, por edhe nga ish vendet e Federatës jugosllave, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Serbia, pas procesit në Hagë, goditjet e furishme, ra në ekstazë. Andaj, nuk është çudi pse merret me këso akte të përçudshme. E bënë këtë për konsum të brendshëm, apo për të shprehur kompleksin ndaj Kosovës. Le të jetë si të jetë, faktori ndërkombëtar s’ bën ta miklojë.
I ashtuquajturi sekretar shtetëror që ka "sektor" Kosovën, Oliver Ivanoviq, siç i deklaroi Radios Evropa e Lirë, bëri të ditur se ky bakshish iu takon komunave të banuara me serbë, "jo edhe atyre të përfshira në procesin e decentralizimit". Sipas kësaj logjike, kjo ndihmë nuk u takon përkrahësve të planit të Martti Ahtisaarit.
Parulla e tyre është: Ata që s’janë me neve, s’ju japim ndihma.
Ka ligje, rregulla, si derdhen mjetet financiare prej një shteti në shtetin tjetër. E di këtë Serbia, po nuk ia kënda ta bëjë, t’i derdhë mjetet në sistemin bankar të Kosovës, ia kënda t’i financojë strukturat ilegale, ngase, ndryshe, do të dilte se ajo e njeh pavarësinë tonë.
Politikanët tanë, për çudi, nuk u morën me provokimin e fundit serb. Para gazetarëve, ministri i punëve të brendshme, Zenun Pajaziti gjendjen në Kosovë e vlerësoi të qetë. Krerët e Kosovës nuk u morën me "dhuratat" serbe, nuk vepruan sipas asaj: Pykën e nxjerrë pyka.
Në procesin e Hagës, Serbinë e nxorën nga takti mikja e saj e vjetër, që tash s’e ka – Franca, e nxori nga takti edhe ish – anëtarja e Federatës jugosllave, Kroacia, e cila e zhveshi të tërën, ia qiti partallet, të palarat për lëndine, e solli në gjendje shoku.
Mu për këtë, Boris Tadiqi, i zemruar tej mase, në një deklaratë për shtyp iu drejtua presidentit kroat Stipe Mesiqit se po përzihet në punët e brendshme të Serbisë. Ndërkaq, Tadiqi "harron", edhe ky përzihet në punët e brendshme të Kosovës.
Një gjë dihet. Presidentit kroat në largim Stipe Mesiqit, i cili pritet të vizitojë Kosovën më 8 janar 2010 do t’i jepet çmimi Qytetar nderi.
Vuk Jeremiqi para gazetareve ne Beograd, të martën (29 dhjetor) u krekos se diplomacia e vendit të tij "ka arritur rezultate të mëdha". Do të shihet, kush do të qesh i fundit, pasi të kumtohet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në pranverën e 2010-ës.
Evropa e përkëdhel Serbinë, nuk ia prish qejfin. Këtë vend grindavec e futi në "zonën e Schengenit", i dha këtë favor, ndonëse në realitet është element destabilizues i rajonit.