Në ambientet e Shoqatës të të Burgosurve Politikë është hapur ekspozita kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit.
Kjo ekspozitë e cila u hap në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, mbështetur nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Instituti Albanologjik i Kosovës dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Ministria e Kulturës, përmban një pjesë të fondit të fotografive, dokumente e botime të mbledhura të Adem Demaçit.
Në një njoftim për media thuhet se ekspozitën kushtuar Adem Demaçit e hapi Meriman Braha, veprimtar i lëvizjes kombëtare, ish-i burgosur politik, i cili tha se ky aktivitet i dedikohet një figure emblematike të lëvizjes sonë kombëtare, Adem Demaçi.
Ky vit është viti shpallur si vit i Adem Demaçit, në 80-vjetorin e lindjes së tij dhe në shënim të gjithë veprimtarisë së tij patriotike, atdhetare, kombëtare, intelektuale, kulturore e humanitare.
“Vepra e Adem Demaçit, qëndresa e tij, ka qenë frymëzim për shumë breza të rezistencës kundër pushtuesit. Raporti i Adem Demaçit me mërgatën është i veçantë, sepse mërgata e diaspora jonë është ngritur e krijuar edhe si mërgatë politike. Veprimtarët tanë kanë punuar në mobilizimin e njerëzve në diasporë në vitet më të rënda, çdoherë duke e pasur përballë edhe figurën e Demaçit, si një simbol i rezistencës, i lirisë universale për shqiptarët dhe njerëzimin. Adem Demaçi, me veprën dhe punën e tij, nuk është vetëm një figurë e rëndësishme e popullit shqiptar, por një figurë e rëndësishme për njerëzimin, sepse përpjekja e tij për liri është një përpjekje universale, është një vlerë njerëzore”, tha ministri i diasporës, Valon Murati.
Me rastin e hapjes së kësaj ekspozite, edhe Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës të të Burgosurve Politikë, foli për figurën e Adem Demaçit.
“Njëzet e nëntë vjet të Adem Demaçit dhe të shumë veprimtarëve të tjerë kaluar nëpër burgje të Jugosllavisë kanë qenë edhe një lloj ekzili i dhunshëm. Nuk është e rastit që Adem Demaçi është perceptuar në mesin e mërgimtarëve si përfaqësues i veçantë edhe i së kaluarës, edhe i së ardhmes. Duke nderuar Demaçin, ne i bëjmë një nder edhe mërgatës, duke shprehur mirënjohje për gjithë atë që ka bërë për atdhetarët. Pa kontributin e mërgatës, nuk do të ishte as Kosova e as kombi këtu ku është”, tha pos të tjerash Hyseni.
Kjo ekspozitë, e cila po mbahet në kuadër të shënimit të vitit Demaçi, do të qëndrojë e hapur deri në fund të verës. /Telegrafi/