Në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, më 17.10.2019, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës hapet ekspozita kolektive/kuratoriale e titulluar “Post-Avangarda Lindore”.
Nën organizimin kuratorial të kritikes Suzana Varvarica Kuka, autorët e kësaj ekspozite të përbashkët janë Adrian Çene, Albana Shoshi dhe Brikena Bërdo.
Përmes një emërtimi të tillë të ekspozitës, kuratorja synon të “provokojë” botën artistike shqiptare dhe jo vetëm, nëse arti i vendeve të ish-Bllokut të Lindjes (ku dikur bënin pjesë Kosova e Shqipëria) arrin që t’i bëjë ballë estetikisht artit të vendeve perëndimore.
Duke i bërë bashkë tre artistë të shquar nga Shqipëria, kuratorja synon gjithashtu të ndërthurë dhe ballafaqojë në njohje dhe komunikim artin pamor të krijuesve shqiptar nga të dy anët e kufirit administrativ Kosovë-Shqipëri.
Tre artistë, tri forma, tri preokupime vetjake dhe piktura janë bërë bashkë në ekspozitën “Post-Avangarda Lindore”, e cila ka si mision t`i vlerësojë artistët shqiptarë, që tentojnë të mbajnë në ritëm zhvillimin e shoqërisë e kulturës shqiptare në shek. XXI.
Qëllimi i saj është të ndërthurë në njohje dhe komunikim kulturën pamore të artistëve nga Shqipëria me kulturën pamore të artistëve të Kosovës. /Telegrafi/