Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Lumir Abdixhiku ka vizituar sot ekspozitën ‘Na ishte një herë që kurrë mos qoftë’, në Qendrën e Dokumentimit Kosovë.
Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se ishte ndër vizitat më të vështira që kishte realizuar me gruan e tij, gjersa thotë se secila fotografi, secila shenjë e secili kujtim, ishte një copëz historie e dhimbshme e popullit të Kosovës.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Ishte një ndër vizitat më të vështira që kemi bërë.
Si dy prindër, si dy qytetarë të Republikës.
Mes emrave të 1024 fëmijëve të vrarë e 109 të tjerëve të zhdukur me dhunë, mes fotografive të plot 500 fëmijëve, shikimi i të cilëve të thyente secilën fortësi, njeriu gjen gjithë kujtimet e mundshme të tragjedisë sonë kolektive.
Kështu u ndjemë sot unë e Albina, kur në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, vizituam ekspozitën ‘Na ishte një herë që kurrë mos qoftë’, në Qendrën e Dokumentimit Kosovë.
Aty u pritëm nga drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë, Bekim Blakaj dhe kuratorja, Blerta Hoçia.
Secili emër, secila fotografi, secila shenjë e secili kujtim, ishte një copëz historie e dhimbshme e popullit të Kosovës. Mes librave shkollor të papërfunduar, vizatimeve tematike plot jetë, biçikletave e këpucëve të lëna të palidhura, mes fustaneve dhuratë të foshnjave gjashtë muajsh – të vrara në luftë, i afrohemi në distancë dhimbjes së familjeve për kaq shumë tragjedi.
Kjo dhimbje vazhdon dhe sot, kur mbi 1600 kosovarë vazhdojnë të mbesin të zhdukur një çerek shekulli pas përfundimit të luftës.
Në këtë ditë, i kujtojmë.
Në secilën ditë tjetër të mos i harrojmë e të punojmë për drejtësinë ndaj tyre, sepse kështu i sjellim drejtësi dhe vetes dhe brezave që vijnë. Ekspozita e nisur si e përkohshme, është bërë tashmë e përhershme. Koha ta institucionalizojmë – si dëshmi prekëse për mos harresë!. /Telegrafi/