Ekspozita e fundit e Petrit Halilajt, Abetare (Klasë Zhurmëtare), hapet sot në galerinë “kurimanzutto” në New York. Këtu, Halilaj ekspozon banka shkollore të braktisura, të gërvishura me vizatime të fëmijëve që ai i gjeti nëpër shkollat e Kosovës dhe i solli në studion e tij në Berlin.
Në Berlin, ai i rielaboroi dhe i montoi bankat e vjetra në objekte skulpturore, vizatimet e të cilave janë burim frymëzimi për serinë e tij të njohur me skulptura prej bronzi dhe çeliku me titull Abetare, që është aktualisht e ekspozuar në Muzeun Metropolitan të Artit (MET) si pjesë e projektit Roof Garden Commission (e hapur deri më 27 tetor).
Të integruara me bankat shkollore janë edhe skulpturat prej bronzi nga seria Abetare, që transformojnë vizatimet e fëmijëve mbi bankat e tyre në forma tre-dimensionale.
Në galerinë “kurimanzutto” Halilaj rikrijon një klasë shkollore, ku skulpturat reflektojnë mbi gjuhën, rininë dhe komunitetin në kontekstin e historisë së Kosovës, si dhe fuqinë e fantazisë për ta tejkaluar një mësim të mërzitshëm shkolle ose kërcënimin e luftës.
Kjo ekspozitë është vazhdimësi e serisë Abetare të Halilajt e cila merr format e saj të larmishme nga vizatimet dhe skicat e fëmijëve gdhendur në bankat e tyre, për ti shndërruar këto ëndrra të përditshme dhe akte të vogla rebelimi në krijime hapësinore të gjera dhe tridimensionale.
Klasa Zhurmëtare shënon një moment të ri në artikulimin artistik të Halilajt. Kjo është hera e parë që bankat shfaqen si objekte skulpturore të varura në mur. Më parë, bankat ishin elemente të integruara në instalacione më të mëdha, por asnjëherë nuk janë kombinuar dhe modifikuar për t’u bërë vepra të pavarura arti.
“Për Klasën Zhurmëtare, jam rikthyer tek rrënjët”, shpjegon Halilaj, dhe kjo pasqyrohet në vetë hapësirën e galerisë, e cila është transformuar në një klasë tradicionale frymëzuar nga kujtimet dhe përvojat personale të artistit. Për dallim nga klasat e zakonshme, Halilaj mbush muret me banka të shkollave të vizatuara nga fëmijët. Nga larg ato duken si piktura minimaliste, por në vështrim më të afërt, vizatimet dhe skicat e fëmijëve bëhen të dukshme mbi sipërfaqet e drurit.
Krahas këtyre bankave janë edhe skulpturat e njohura prej bronzi nga seria Abetare, që përfaqësojnë motive të përsëritura – zemra, shtëpi, yje. Së bashku, skulpturat dhe bankat krijojnë një logjikë të veçantë hapësinore: ato luajnë nëpër muret, dyshemenë dhe tavanin e galerisë, duke rikrijuar klasën si një peisazh ëndrrash.
Për të shoqëruar ekspozitën, Halilaj ka ftuar kuratoren shqiptare Eriola Pira, për të organizuar një seri prej tre punëtorish gjatë kohëzgjatjes së ekspozitës (14 shtator, 28 shtator dhe 19 tetor, secila duke filluar në orën 15:30), duke aktivizuar klasën si një hapësirë për të përjetuar dhe mishëruar gjuhën shqipe. Përmes aktiviteteve dëgjimore, gojore dhe të bazuara në lëvizje, pjesëmarrësit e të gjitha moshave janë të ftuar të rikrijojnë dhe përjetojnë një kujtim formativ huazuar nga fëmijëria e Halilajt dhe Pirës në Kosovë dhe Shqipëri. Duke jetuar në diasporë, ky bashkëpunim nderon rolin që intelektualët dhe artistët shqiptarë të diasporës kanë luajtur në themelimin, praktikimin dhe qëndrueshmërinë e gjuhës shqipe gjatë historisë.