Telegrafi

Eksportet e Kosovës me rritje të zbehtë

Ndonëse Qeveria dhe institucionet ndërkombëtare, kanë përmendur zhvillimin e eksporteve të Kosovës si një lajm i mirë, rritja mund të mos jetë relevante dhe praktikisht kjo rritje nuk i mbulon mallrat e importuara.

Të dhënat për Tregtinë e Jashtme tregojnë se edhe pse eksportet e Kosovës u rritën, deficiti i lartë tregtar nuk është reduktuar.
Këto të dhëna kryesisht bazohen nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave (ASK) dhe Doganës së Kosovës.

Edhe në vitin 2017, Kosova vazhdon të ketë deficit të lartë tregtar. Këtë vit, deficiti arriti në mbi 2.5 miliardë euro. Totali i eksporteve ishte mbi 300 milionë euro, ndërsa importi 2 miliardë e 800 milionë euro.

Eksportet kosovare për produktet industriale jo-ushqimore vazhdojnë të kenë peshën më të lartë të eksporteve, duke përberë mbi 80 për qind të eksporteve të përgjithshme.

Sipas të dhënave, metalet bazë dhe artikujt e tyre edhe për vitin 2017 vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të madhe për eksport me mbi 43 për qind, ndërsa produktet bimore, ushqimet e përgatitura dhe pijet janë kategoria kryesore produkteve ushqimore të eksportuara. Vlera e tyre ka tendencë rritjeje, sipas ASK-së kjo rritje premton një trend pozitiv.

Grupi i produkteve industriale jo-ushqimore ka një pjesëmarrje për 80.5 për qind në importet e përgjithshme, e cila ka shënuar rritje ndaj vitit të kaluar. Vajrat e naftës, auto-veturat dhe mjetet e tjera të transportit, shufrat dhe shufrat e hekurit dhe çelikut, çimento dhe medikamentet janë produkte të veçanta të importuara në Kosovë.

Mallrat e importuara të përfshirë në grupin e produkteve ushqimore është 19.5 për qind ndaj totalit të importeve në Kosovë.

Produktet më të importuara në kategorinë e produkteve bujqësore ushqimore e përbëjnë cigaret, uji, mishi, biskotat, sheqeri, etj.

Kosova importon nga më shumë se 130 vende të botës, ndërkaq produktet e prodhuara në Kosovë, kanë arritur në tregjet e më shumë se 60 vendeve të botës.

Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare të CEFTA-s, përbën pjesën më të rëndësishme të shkëmbimeve tregtare të Kosovës, me rreth dy të tretën e të gjithë tregtisë së jashtme.

Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës për vitin 2017, vendet e CEFTA-së vazhdojnë të jetë partnere kryesore tregtare me mbi 39.6 për qind për eksport dhe import 27.4 për qind, vendet e BE-së me një pjesëmarrje prej 25.8 për qind për eksport dhe 42.5 për qind për import.

Sipas bilancit tregtar për të dhënat komerciale nga Dogana e Kosovës, deri në fund të vitit 2017, Kosova drejt vendeve të CEFTA-së, ka eksportuar mbi 164 milionë euro, ndërsa ka importuar mbi 678 milionë euro.

“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së, për periudhën janar-dhjetor 2017 kanë qenë 164.81 milionë euro, ndërsa importet janë 678.6 milionë euro. Kosova në Shqipëri ka eksportuar 53.1 milionë euro, në Serbi 46.31 milionë euro, Maqedoni 38.37 milionë euro dhe Mal të Zi 19.17 milionë euro. Për sa i përket importeve, vendi ynë më së shumti ka importuar nga Serbia me 320.1 milionë euro, ndjekur nga Shqipëria me 136.42 milionë euro, Maqedonia me 131.9 milionë euro dhe Mali i Zi me 15.66 milionë euro”, ka treguar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci për Telegrafi.

Sa i përket eksporteve me vendet fqinje, Shqipëria merr pjesë me 13.7 për qind, pasuar nga Maqedonia me 10.2 për qind, Mali i Zi me 6.4 për qind dhe Serbia me 5.7 për qind në raport me totalin për vitin 2017.

Ndërsa pjesëmarrjen më të madhe të importeve në Kosovë nga këto vende vazhdon ta ketë Serbia me 15.9 për qind e ndjekur nga Shqipëria me 4.8 për qind dhe Maqedonia me 4 për qind.

Gjithashtu, nga të dhënat e Doganës së Kosovës, për deri në fund të vitit 2017, vendi ynë drejt vendeve të Bashkimit Evropian ka eksportuar 75.48 milionë euro, ndërsa ka importuar 1 miliard e 296.2 milionë euro.

“Me vendet e BE-së, Kosova për vitin 2017 ka eksportuar 75.5 milionë euro dhe importuar 1.29 miliardë euro. Më së shumti Kosova ka eksportuar në Gjermani me vlerë prej 17.23 milionë euro, në Britani të Madhe ka eksportuar mallra me vlerë prej 10.98 milionë euro dhe Austri me 10.14 milionë euro. Lidhur me importet drejtë Bashkimit Evropian, Kosova më shumti ka importuar me Gjermaninë me vlerë prej 375.73 milionë euro, në vend të dytë është Italia me 192.5 milionë euro dhe Polonia me 79.7 milionë euro”, ka thënë Stavileci për Telegrafi.

Berat Rukiqi këshilltar në Odën Ekonomikë të Kosovës (OEK), tha për Telegrafi ka një rritje të lehtë të eksporteve të Kosovës, por nuk janë të mjaftueshme për ta ulur deficitin tregtar.

“Paslufta e ka gjetur Kosovën me ekonomi të shkatërruar. Kemi importuar gjithçka: makineri të reja, vetura, ushqim, burime të energjisë, energji elektrike, material ndërtimor, pije, etj. Kjo ka ndikuar që kompanitë e huaja, që importojnë produkte, të krijojnë treg në Kosovë. Përpjekjet për fuqizim të prodhimit, në kushtet kur tërë industria ka qenë në piken zero, kanë dhënë rezultate të ngadalshme. Mund të them që vetëm në dy-tre vitet e fundit ka një tendencë rritje të eksportit dhe prezencës më të madhe të brendëve tona në treg, por jo mjaftueshëm për një ndikim më të madh në uljen e deficitit tregtar”, tha për Telegrafi, Rukiqi.

Kosova sipas tij, po krijon kapacitete prodhuese, mirëpo kostoja për zgjerimin e bizneseve është e papërballueshme.

“Kosova po krijon kapacitete prodhuese, Sektori prodhues ka një performancë më të mirë. Sfiduese mbetet kapacitetit dhe plotësimi i standardeve të caktuara. Kostoja për zgjerim është e papërballueshme për shumë biznese”, tha Berat Rukiqi nga OEK.

Deficiti tregtar mund të reduktohet nëse kemi politike aktive te promovimit dhe rritjes se eksportit.

“Deficiti mund të reduktohet nëse kemi politike aktive të promovimit dhe rritjes së eksportit, përmirësim të qasjes në financa për ndërmarrjet prodhuese, krijimit të stimujve për investime të reja dhe përkrahje të rritjes së kapaciteteve përpunuese”, tha Rukiqi për Telegrafi.

Sipas të dhënave të ASK-së për Tregtinë e Jashtme për muajin janar 2018, eksporti i mallrave kishte vlerën 24.5 milionë euro, ndërsa importi 195 milionë euro, që është një rritje prej 14.3 për qind për eksport dhe një rritje prej 32.8 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. /Telegrafi/