Telegrafi

Eksportet e Gjermanisë shënojnë rënie

Eksportet gjermane kanë rënë në mënyrë të konsiderueshme gjatë muajit Nëntor të vitit 2014, duke theksuar faktin se ekonomia më e madhe e Eurozonës e ka mbyllur vitin me nota negative.

Kështu, eksportet kanë rënë për të dytin muaj me radhë, duke shënuar një ulje me 2.1 për qind. Ndërsa importet janë shënuar në ngjitje me 1.5 për qind. Suficiti tregtar në vend regjistrohet në 17.7 miliardë euro. Ndërkohë analistët kishin parashikuar gjithsesi një rënie të nivelit të eksporteve, por në shifra më të moderuara, prej 0.2 për qind.

Prodhimi industrial në vend është regjistruar gjithashtu në rënie me 0.1 për qind, I shtyrë kryesisht nga aktiviteti i dobët në sektorin e ndërtimit dhe atë energjetik. Kjo shifër hedh poshtë projeksionet e analistëve, të cilët kishin pritshmëri në rritje, me 0.4 për qind.

Ekonomistë të ndryshëm shprehen se këto të dhëna nuk duhen parë si domethënëse, pasi situata gjeopolitike në rajon, dhe sidomos sanksionet ndaj Rusisë, po shtyjnë drejt një rritje të dobët shumë vende të Europës, por edhe të Botës. Pritshmëritë për tre mujorin e fundit të vitit 2014 në Gjermani mbeten modeste, pasi ekonomia e vendit ka kaluar një vit të vështirë, në prag recesioni në tre mujorin e dytë të vitit dhe me një rritje të papërfillshme në tre mujorin e tretë të saj.

Gjithsesi, për rritjen në tre mujorin e fundit të vitit 2014 janë dhënë edhe sinjale pozitive. Indekset që tregojnë ndjeshmërinë e konsumatorit dhe biznesit kanë marrë një kthesë pozive gjatë kësaj periudhe. Shitjet me pakicë janë shënuar gjithashtu në territori pozitiv.

Për vitin që sapo lamë pas, qeveria gjermane ka parashikuar një rritje të prodhimit të brendshëm bruto në 1.2 për qind. Ekonomia gjermane ka qënë gjithmonë e orientuar drejt eksporteve. Por këtë vit ngarkesat jashtë vendit kanë vuajtur nga një kërkesë në ulje ndaj monedhës së përbashkët europiane . Gjatë muajit nëntor eksportet drejt vendeve të BE-së janë rritur me 4.8 për qind, ndërsa ato jashtë saj janë ulur me 3 për qind. /Telegrafi/