Telegrafi

Eksport në të zezën

Pavarësisht se Serbia e Bosnja nuk i pranojnë prodhimet “Made in Kosova”, për tregtarët kosovarë të patates kjo nuk paraqet kurrfarë problemi.

Ata po e eksportojnë këtë produkt në këto vende në të zezën dhe atë me çmime shumë të lira. E gjithë kjo për shkak se Shqipëria vendosi tarifa doganore dhe tregu i brendshëm është “ngopur” me patate, shkruan Express.

Bedri Kasumi, pronar i kompanisë për prodhimin e patates “Pestova”, thotë se e gjithë kjo sasi e patates që po eksportohet për Serbi po bëhet në të zezën. “Ky nuk është eksport i rregullt. Serbia e Bosnja nuk i njeh prodhimet tona”, theksoi Kasumi.

Sipas tij, për t’u njohur si eksport, duhet fillimisht dokumentacioni, që në rastin konkret është certifikata e origjinës së produktit. E meqenëse Serbia nuk i pranon produktet kosovare, sipas tij, kjo është e pamundur.

Ai tregon se gjatë vitit 2009 kanë pasur me mijëra tonë patate të prashitura, ndërsa gjatë vitit të kaluar thotë se janë dëmtuar me humbjen e tregut të Shqipërisë. “Kosova ka 40 deri në 50 mijë tonë patate për eksport, e nëse marrim vlerën e referencës që i është shtuar, atëherë prodhuesit kosovarë i bie që kanë humbur me miliona euro nga pamundësia e eksportit gjatë vitit të kaluar”, tha Kasumi. /Telegrafi/