Telegrafi

Eksport indirekt në Serbi

Ndonëse bëhet fjalë për një eksport minimal, krahasuar me importin vjetor që e realizon Kosova nga Serbia dhe që e kalon shumën prej 250 milionë euro, megjithatë bizneset gjejnë forma të ndryshme për të eksportuar atje.

Serbia nuk i pranon prodhimet kosovare pas ndërrimit të vulave të UNMIK-ut me ato të Republikës së Kosovës në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Gjatë vitit të kaluar eksporti më i lartë i Kosovës drejt Serbisë është realizuar në muajin gusht që ka arritur në 624 mijë euro, ndërsa më së paku ishte eksportuar në janar të vitit të kaluar kur ishte eksportuar vetëm 105 mijë euro.

Përfaqësuesit e biznesit thonë se nuk kanë njohuri për një eksport të tillë. “Nuk kemi njohuri për një eksport të Kosovës në Serbi”, thotë një zyrtar i lartë i Odës Ekonomike të Kosovës. Të njëjtën gjë e kanë pohuar edhe drejtuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit.

Ndërsa zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, e konfirmon se ka eksport në Serbi nga Kosova, por siç thotë ai, bëhet fjalë për eksport indirekt. “Një firmë kosovare eksporton në Mal të Zi ose Maqedoni dhe më pas eksportohet i njëjti mall në Serbi. Pra, bëhet fjalë për një eksport indirekt, pasi që drejt në Serbi nuk ka eksport”, ka sqaruar Stavileci.

Sipas tij, nuk ka asgjë joligjore nëse një kompani arrin të eksportojë në një vend tjetër, duke gjetur forma të ndryshme.

Eksporti në Serbi gjatë vitit 2010: Janar 105 mijë euro, shkurt 272 mijë euro, mars 424 mijë euro, prill 140 mijë euro, maj 250 mijë euro, qershor 205 mijë euro, korrik 292 mijë euro, gusht 624 mijë euro, shtator 464 mijë euro Tetor 398 mijë euro. /Zëri/Telegrafi/