Një shpërthim me lëndë eksplozive tronditi mbrëmjen e sotme zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë ku objektiv ishte automjeti tip “Mercedes Benz A Class” në pronësi të prokurorit Arjan Muça por që përdorej edhe nga bashkëshortja e tij Gentjana Muça, gjyqtare pranë Gjykatës Administrative Tiranë.
Në një lidhje direkte për Ora Neës, gazetari i kronikës Elton Qyno deklaroi se “Është ende e papërcaktuar se kush ka qenë objektivi”.
“Ka qenë gruaja apo ka qenë burri i saj prokuror. Në deduksionin tim më shumë është më tepër se mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së bashkëshortes, e cila ushtron detyrën e gjyqtares pranë Gjykatës Administrative Tiranë. E them këtë pasi vetë zoti Arjan Muça nuk ka një detyrë që mund të krijojë konflikte me persona të tjerë pasi megjithëse mban dekretin apo postin e prokurorit, momentalisht nuk ushtron këtë detyrë por është Inspektor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Duke qenë në këtë pozicion nuk është prokuror që kryen hetime sa i përket personave kontigjent kriminalë apo grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri por merret me anën administrative që kërkohet nga KLP për prokurorët apo administratën e prokurorisë. Është një post janë proceseve hetimore”, tha ai.
“Bashkëshortja e tij ushtron detyrën e gjyqtares dhe dyshohet se është pikërisht ky funksion që mund të ketë ndikuar apo vendimmarrjet e saj mund të kenë ndikuar në një hakmarrje të mundshme nga grupet kriminale“, u shpreh ndër të tjera Qyno.
Kush është Arjan Muça?
Arjan Muça bën pjesë në grupin e 6 prokurorëve të komanduar pranë KLP dhe merret me raportet të vlerësimit të prokurorëve për KPK.
“Kohët e fundit është bërë prokuror pasi pjesën më të madhe të karrierës së tij në prokurori e ka si oficer i Policisë Gjyqësore. Është oficer që është bërë pjesë e disa grupeve hetimore. Grupi më i famshëm ka qenë grupi i “Gërdecit”. Por nuk mund të lidhet kjo ngjarje me ngjarjen e sotme pasi distanca kohore është shumë e madhe. Megjithatë, më 18 mars kemi përvjetorin e Gërdecit”, tha gazetari Qyno.
Deklarata e Drejtorit të Policisë Tiranë
“Mjeti ka dëmtime në pjesën e përparme. Përdoret nga prokurori dhe aktualisht prej një periudhe dy vjeçare parkohet pranë kësaj qendre. Janë marrë masa nga policia për dokumentimin e kësaj vepre penale. Nuk ka të lënduar dhe dëmtime të mjeteve të tjera. Shpërthimi ka ndodhur në pjesën e parakolpit të makinës. Nuk ka pasur asnjë person afër dhe grupi hetimor po merret me pamjet dhe veprimet hetimore”.
Njoftimi paraprak i Policisë:
Me datë 11.03.2021, rreth orës 19:30, tek Komuna e Parisit, në rrethana ende të paqarta ka shpërthyer dyshohet si pasojë e lëndës plasëse mjeti i parkuar në pronësi të shtetasit A. M., ku ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor ndodhet ne vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë po kontrollojnë zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit./OraNews/