Hajvaliasit pretendojnë se janë dëmtuar rëndë nga gjyqtarët në këtë takim. Për Gazetaolle.com, Meda ka reaguar ashpër. Ai e pa ndeshjet nga stadiumi.
“Hajvalia nuk mundet që të luaj ndaj FFK-së, gjyqtarëve dhe ekipeve të tjera. Këtu në Kosovë njerëzit punojnë me direktiva të caktuara. Shteti i Kosovës mundet me pas përfitime nga Hajvalia, turp për FFK-në se çka po bënë. Si ka mundësi që të caktohet tri herë i njëjti gjyqtarë.Atij ‘Krrutit’ (Artan Tahirit) duhet me t’i vijë marre që e fut pipin në gojë. Genc Nuzës duhet t’i vijë marre se me çfarë direktivash po punon, dhe çfarë urdhrash ka marrë nga jashtë”, ka thënë Mehedin Përgjegjaj për Gazetaolle.com.
Tutje, Meda vazhdoi me reagime edhe më të ashpra. “KF Hajvalia nuk ka ardhur nga Serbia oj FFK e gjorë. Hajvalia është e Kosovës. Jemi njerëz që po punojmë për të mirën e futbollit, po më vjen turp se çka shikova sot. Do të isha ndjerë i turpëruar po qe se do të punoja në federatë”.
Meda ndër të tjera zotohet se do ta tërheq Hajvalinë nga garat derisa ka një këshillë edhe për klubet e tjera.
“Nuk mundemi më kështu. Do të tërhiqemi përfundimisht nga garat. Kam një këshillë për klubet e tjera që investojnë dhe të japin para. Krahas investimeve të punësojnë në Federatë edhe dajtë, hallat e tezet. Ata janë të korruptuar dhe marrin para”, potencoi Meda.
Në fund ai deklaroi se është turp që njerëzit e kësaj federate, të mendojnë për inkuadrim në UEFA e FIFA.