Telegrafi

Eksploatuesit e zhavorrit protestojnë para Komunës së Kamenicës

Eksploatuesit e zhavorrit nga komuna e Kamenicës kanë protestuar para ndërtesës së komunës për shkak të bllokimit dhe ndërprerjes së veprimtarive të tyre nga ana e autoriteteve.

Pronarët e kompanive të ndryshme që veprojnë në komunën e Kamenicës për disa minuta kanë bllokuar rrugën kryesore të qytetit si dhe hyrjen e objektit të komunës.

Për të folur me ta ka dalë kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, i cili u ka shpjeguar se komuna nuk ka përgjegjësi për situatën e tyre.

“Komuna nuk është kompetente që t’i lëshojë lejet për seperim dhe bartje të zhavorrit, dhe rërës. Është kompetencë e Ministrisë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor”, është shprehur Sinani.

Prandaj ai ka kërkuar nga protestuesit që ta lirojnë rrugën pasi që qytetarët duhet të kalojnë të lirë dhe të mos pengojnë lëvizjen dhe qarkullimin e tyre.

“Në kemi mbajtur takime me pronarët e kompanive të eskploatuesit të zhavorrit ku të pranishëm kanë qenë Policia e Kosovës, zyrtarë të Ministrisë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor”, ka thënë Sinani. /kallxo.com/