Ish-ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, u emërua drejtor i Agjencisë serbe të Zbulimit (BIA), e kjo sipas ekspertit të sigurisë, Agim Musliu, tregon se Serbia edhe një kohë do të jetë nën kthetrat ruse.
Musliu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se emërimi i ish ministrit serb të Punëve të Brendshme drejtor i Shërbimit serb të Inteligjencës – BIA, “është ‘medalje’ nga Rusia për Vulinin”.
“Ky është shqelm për Evropën (nëse Evropa ka ndjeshmëri për shqelmat ruso-serbë). Kjo është vulë se Serbia edhe një kohë do të jetë nën kthetrat ruse”, ka shkruar Musliu, transmeton Telegrafi.
Sipas Musliut, “ky është edhe një ngushëllim për shërbimet e inteligjencës në rajon (AKI – Kosovë, ANB – Mal i Zi, SOA – Kroaci, SHISH – Shqipëri, UBK – Maqedoni Veriore, SIPA – BeH), se në krye të BIA-s është një gomar, por i rrezikshëm, sepse është prorus”.
Para Vulinit, në këtë post ishte Bratisllav Gashiq, tani ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë.
BIA është një shërbim civil i sigurisë kombëtare të Republikës së Serbisë.
Ajo është përgjegjëse për mbrojtjen e sigurisë së këtij vendi dhe, ndër të tjera, për zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve që, siç thuhet, synojnë cenimin ose rrëzimin e rendit të vendosur me Kushtetutën e Republikës së Serbisë. /Telegrafi/