Site icon Telegrafi

Eksperti i sigurisë: “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” i kanë plotësuar të gjitha kriteret për t’u shpallur organizata terroriste

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë se haptazi po duket që presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe vartësit e tij “e kanë fituar betejën me ndërkombëtaret sepse i gjithë presioni për shtensionim në veri të Kosovës është ra në institucionet e Kosovës”.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, teksa ka folur për zhvillimet në veri të Kosovës ka thënë se dy organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të shpallura si terroriste i plotësojnë të gjitha kriteret që të shpallen të tilla.

Në RTV Dukagjini, Islami ka renditur disa nga elementet e terrorizmit.

“Me të drejtë dhe po vërtetohet se Qeveria e Kosovës dy organizata në veriun e Kosovës i shpalli si organizata terroriste, nuk u shpallën jo rastësisht sepse veprimet e tyre i plotësojnë të gjitha kriteret që të shpallen organizata terroriste. Elementet e terrorizmit janë zjarrvënia, hedhja e shok-bombave, përdorimi i armëve të gjata, ku të gjitha këto ngërthejnë në vete dhe përbëjnë apo shkaktojnë rrezik të përgjithshëm”, ka thënë ai.

Sipas tij, të gjitha këto raste janë evidente dhe beson që të njëjtat po bëhen nga njerëz të specializuar “nga ana e inteligjencës serbe sepse motoja vepro dhe ik deri më tani nuk kemi asnjë të arrestuar dhe me këtë fakt tregohet një profesionalizëm të lartë”.

“Qëllimi është që atmosfera të jetë e tensionuar në atë pjesë të veriut, haptazi po duket që Aleksandar Vuçiq dhe vartësit e tij e kanë fituar betejën me ndërkombëtaret sepse i gjithë presioni për shtensionim në veri të Kosovës është ra në institucionet e Kosovës”.

Exit mobile version