Eksperti i komunikacionit Nol Dedaj ka thënë se Kosova është përfituese e madhe e marrëveshjes për hekurudhat.
Dedaj, në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se marrëveshja për hekurudhat mes Kosovës dhe Serbisë është e mirëseardhur pasi sipas tij pa hekurudha nuk ka transport të mirëfilltë të mallrave dhe njerëzve.
“Hekurudha nuk do të na lidhte vetëm me Serbinë por edhe me Evropën e sidomos me Kroacinë”.
Eksperti i Komunikacionit thotë se Kosova mund të del përfituese nga kjo marrëveshje pasi bashkësia ndërkombëtare mund të bëj investime të mëdha në hekurudhat e Kosovës.
“Kosova momentalisht i ka hekurudhat primitive. Ato ende nuk janë të elektrifikuara”.
Dedaj thotë se për marrëveshjen Kosova as që ka pasur informacione pasi sipas tij marrëveshja ka ardhur e gatshme dhe pala kosovare vetëm e ka miratuar.
“Është pozitive nëse këtë marrëveshje e kanë bërë ekspertët amerikanë”.
Eksperti i komunikacionit ka thënë se është shumë e nevojshëm që hekurudha të ndërtohet edhe drejtë Shqipërisë për shkak të porteve që ka ajo.
“Pavarësisht se rrugët e standardeve Evropiane e kanë ulur disi rolin e hekurudhës, prapë se prapë Shqipëria ka dy porte dhe përmes tyre lidhemi me Italinë dhe Evropën”, tha ndër të tjera Nol Dedaj./Telegrafi/