Njëzet e pesë pakot me eksploziv, të gjetura para dy vjetësh në Prishtinë në veturë të shtetasit të Serbisë, Slobodan Gavriq, e kanë të njëjtën përbërje dhe fuqi sikurse eksplozivët e përdorur gjatë sulmeve të fundit terroriste në Francë dhe Bruksel.
Këtë konstatim e ka dhënë eksperti policor, Muhamet Rushiti, të mërkurën, në gjykimin kundër Gavriçit, i cili po akuzohet për përgatitje të veprave penale të terrorizmit, shkruan sot Koha Ditore.
Rushiti që është edhe shef i Njësisë për trajtimin e mjeteve të improvizuara eksplozive në Policinë e Kosovës, ka treguar detajet e zbulimit të këtij eksplozivi, si dhe për dëmet që do të mund t`i shkaktonte nëse do të aktivizohej. Për këtë rast, ka thënë se është bërë një ekspertizë.
Ky mjet, sipas ekspertizës, e cila i është bërë nga FBI-ja e SHBA-së ka rezultuar se është eksploziv i llojit PETN (penta eritritol tritranitrate), si lloji më i fortë dhe më i fuqishmi. Eksplozivi, sipas ekspertit, po mbahet në depon për mjete të rrezikshme në polici.