Ekspertët zviceranë vazhdojnë punën në terren pas tërmetit tragjik në Shqipëri. Në Durrës ata kontrolluan disa nga ndërtesat e shkatërruara për të vendosur nëse duhen hequr menjëherë. Në Krujë ekipi mati stabilitetin e disa ndërtesave që kanë qëndruar për të përcaktuar nëse janë të sigurta.
Një ekip me 15 specialistë të mobilizuar nga qeveria zvicerane janë në Shqipëri për të ndihmuar vendin me pasojat e tërmetit më të rënde në dekadat e fundit.
Ekipi përfshin ekspertë në dy fusha:
(1) inxhinierë që vlerësojnë gjendjen e ndërtesave: (2) ekspertë që vlerësojnë nevojat dhe planifikojnë veprimet në përgjigje të tyre.
“Programi ynë i bashkëpunimit në Shqipëri duhej patjetër të përfshinte një përgjigje ndaj tërmetit tragjik që goditi të martën. Duke parë seriozitetin e gjendjes, qeveri zvicerane zgjeroi përpjekjet duke sjellë misionin e parë me ekspertë, të cilët do të vlerësojnë nevojat, do të japin asistencë të menjëhershme dhe do të propozojnë masa afatgjata pas tërmetit”, tha ambasadori zviceran në Shqipëri, Adrian Maître.
“Zvicra mbështet Shqipërinë jo vetëm në kohë të mira, por edhe në momente të vështira”, tha Sebastian Eugster, udhëheqës i ekipit të misionit zviceran dhe zv. kreu për ndihmën humanitare në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës, përcjell albinfo.ch.