Me dëshminë e ekspertëve të punësuar në MPB, sot në Gjykatën Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për rastin “Monstra” për vrasjen e pesëfishtë më 12 prill në vitin 2012.
Në fillim të seancës prokurorja Fatime Fetai, kërkoi nga gjykata të përgjigjet për procedurën e ekstradimit nga Kosova për të akuzuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ekspertja e biologjisë Pavlinka Stefanova shpjegoi se janë bërë ekspertizat për të gjetur ADN-në e personave që janë vozitur në “Opel Omegan” që dyshohet të jetë vetura e arratisjes së vrasësve nga Liqeni i Smillkovës.
Ajo tha se janë gjetur gjurmë të katër personave, në të katër dorezat e brendshme të dyerve të makinës, gjithashtu edhe në një mbështetëse të kokës në ulëset e prapme.
Biologia tha se njëra prej ADN-së vetëm ka qenë e përzier, mes burrit dhe femrës, por nuk dinin të japin shpjegim për këtë gjë.
Ekspertja siguroi se këto profile gjenden në bazën e ADN ve të policisë dhe mund të krahasohen në çdo kohë me ndonjë person.