Partitë politike kanë bërë publikimin e sloganeve zyrtare me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Nëpërmjet tyre partitë mendojnë të përcjellin mesazhe tek elektorati. Por sipas ekspertëve këto mesazhe pos që janë të paqarta kanë edhe mungesë kreativiteti.
“Krejt dhe Drejt”, “Shteti. Shtet.”, ”Rimëkëmbje”, “Forca e Kosovës” janë disa slogane që subjektet politike kanë përzgjedhur subjektet politike për zgjedhje.
Por profesori universitar Faton Ismaili thotë se fokusi i qytetarëve është tek personi e jo te sloganet.
“Të gjitha subjektet politike përmes sloganeve po mundohen të shfaqin pikat e tyre më të forta që kanë pasur në të kaluarën. Duke u nisur nga “Krejt dhe Drejt” ku fokusi në njëfarë forme është te drejtësia, duke kaluar te “Rimëkëmbja” me PDK-në, LDK po pretendon se e ka ruajtur shtetin, ndërsa AAK-ja po pretendon se i ka meritat më të mëdha për FSK-në. Në fakt në Kosovë aktualisht nuk është duke u diskutuar as për programe e as për sllogane”, tha Ismaili për RTV Dukagjinin, përcjell Telegrafi.
Profesori Bardh Rugova thotë se sloganet janë të çuditshme pasi nuk korrespondojnë me ofertat e partive politike.
Slloganet e këtyre zgjedhjeve po konsiderohen ndër më të dobëtat, thotë njohësi i rrjeteve sociale, Dardan Hasku.
“Në këto zgjedhje ka munguar kreativiteti për zgjedhjen e sloganeve…Prej se e përcjelli këtë fushë nuk kamë parë slogane më të dobëta të subjekteve politike”, deklaroi Dardan Hasku.
Në shumë raste slloganet e subjekteve politike janë bërë objekt talljeje nga masat në rrjetet sociale./Telegrafi/