Telegrafi

Ekspertët të habitur me mënyrën e miratimit të Strategjisë

Eksperti Lumir Abdixhiku, tha se është habitur me mënyrën e aprovimit të një strategjie aq të rëndësishme për Kosovën. Sipas tij, kjo ndikon keq tek investitorët e huaj pasi që, sipas tij gjithçka është bërë "shkel e shko".

“Habitem me ngutin e procesit dhe mungesën e konsensusit në vendimmarrje. Kemi një parlament në shpërbërje, një pakicë votash, dhe një proces shumë të dyshimtë që në tërësi bëjnë të rrezikojnë procesin e privatizimit dhe rritjen e vetë vlerës së PTK-së”, tha Abdixhiku për Telegraf.

Ai tha se një ngjarje e tillë rritë riskun e transaksionit dhe për çdo investitor serioz rritja e riskut do të thotë zvogëlim i vlerës.

“Procesi i shtyrë në mënyrë të tillë është edhe sinjal i keq tek shumë investitorë potencial, meqë lë të kuptosh për mënyrën se si merren vendimet në një vend që thirret se është demokratik. Skenari i djeshëm të jep përshtypjen se vendimet merren në një vend monarkik”, tha eksperti Abdixhiku.

Ndërkaq, Artan Nimani, ligjërues në Universitetin Prishtinës përkundër problemeve gjatë miratimit të Strategjisë e vlerëson si hap të guximshëm miratimin e saj. Sipas tij, edhe ndërmarrjet publike të cilat janë profitabile duhet të privatizohen.

“Momenti politik i krijuar ditëve të fundit ndoshta ka pasur dyshime dhe shantazhet nga cilido krah politik në këtë proces janë të dënueshme dhe do të prodhojë pasoja të mëtejme. Kjo çështje është politizuar më shumë sa në fakt është. Ky më tepër është problem ekonomik dhe orientim se sa siç po paraqitet”, tha Nimani.

Ai tha se Kosova duhet të merret edhe me punë të mëdha, siç janë PTK-ja dhe Autostrada.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka thënë se nuk do ta nënshkruajë Strategjinë pa u konsultuar me partitë parlamentare për shkak të kundërshtimeve që janë bërë.

Mirëpo, sipas tij ka pasur kuorum të mjaftueshëm për miratimin e Strategjisë. /Telegrafi/