Site icon Telegrafi

Ekspertët nga Kosova dhe Serbia takohen sot në Bruksel, udhëheqësit të hënën – hapen tri tema të reja

Foto Arkiv

Raundi i ri i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës do të mbahet gjatë fundjavës në Bruksel në nivel ekspertësh, dhe një takim i nivelit të lartë është planifikuar për të hënën.

Krerët e të dyja palëve, në prani të Josep Borellit dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, do të hapin tre tema të reja, ka mësuar Tanjug në Bruksel.

Ekipet e ekspertëve do të vazhdojnë bisedimet sot mbi çështjet e ngritura tashmë të personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe marrëdhënieve ekonomike. Krerët e ekipeve negociuese, Marko Gjuriq dhe Skender Hyseni, pritet të bashkohen me ta të dielën, pas kthimit të tyre nga Uashingtoni, transmeton Telegrafi.

“Si pjesë e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, takimi i nivelit të lartë të hënën do të merret me rregullimet e komunitetit jo-shumicë dhe zgjidhjen e pretendimeve financiare si dhe pasurive”, njoftoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano konfirmoi se të hënën, 7 shtator, Ministri i Jashtëm i BE-së Josep Borell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajcak do të presin presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Avdualh Hoti në një raund të ri të dialogut politik të nivelit të lartë midis Beogradit dhe Prishtinës.

Lexo po ashtu Këto janë pikat e marrëveshjes të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë

“Pritjet tona nga ky takim në Bruksel janë që partnerët të vazhdojnë bisedimet e tyre. Ky është takimi i tretë i nivelit të lartë. Shpresojmë të vazhdojmë këtë dinamizëm pozitiv dhe të bëjmë përparim në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe qasjen e zgjidhjeve për të gjitha çështjet e hapura përmes një finale të mundshme të një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë Stano.

Jozyrtarisht në Bruksel thuhet se ndërmjetësit e BE-së planifikojnë të intensifikojnë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, në mënyrë që ekspertët të takohen çdo 10 ditë, dhe udhëheqësit – çdo tre javë. /Telegrafi/

Exit mobile version