Telegrafi

Ekspertët skeptik për programin e Qeverisë

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa po shkel në 100 ditshin e qeverisjes pa program të saj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa ende nuk mund të thuhet se në aspektin e zhvillimit ekonomik është ndërmarrë diçka konkrete që do të ndikonte sado pak në kthimin e besimit te njerëzit për një jetesë më të mirë.

Ndonëse kryeministri Isa Mustafa u zgjodh në këtë pozitë më 9 dhjetor 2014, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se ende ai dhe kabineti i tij qeveritar sa i përket programit qeverisës sillen brenda suazave të një retorike që jemi mësuar kaherë me te, e cila përmban disa objektiva zhvillimore, por jo edhe data konkrete të realizimit të tyre.

Qeverisë Mustafa iu deshën tre muaj për ta nxjerrë në rend të ditës para kabinetit qeveritar një program qeverisës, i cili nga hartuesit vlerësohet se nuk është program dëshirash, por një program i mundësive reale, program që fokus e ka zhvillimin ekonomik, por në teren ende asgjë konkrete nuk shihet në këtë drejtim.

Të martën e javës së ardhshme pritet që ky program qeverisës të diskutohet në Kuvendin e Kosovës. Por programi qeverisës i Qeverisë Mustafa shihet me skepticizëm jo vetëm nga opozita, por edhe nga njohës të çështjeve ekonomike.

Në programin qeverisës të Republikës së Kosovës 2015-2018, të cilin e ka miratuar Qeveria e Kosovës ceken parimet dhe shtyllat e programit qeverisës, duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe mirëqenien. Sipas programit 2015-2018, zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies do të bazohen në iniciativën private, konkurrencën dhe tregun e hapur, si forcat kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik.

Në programin qeverisës 2015-2018, ndër të tjera përfshihen: politikat fiskale të favorshme; përshkallëzimi i TVSH-së; ulja e pragut të TVSH-së; pushimet nga taksat; integrimi i ATK-së, Doganës dhe mbledhja në brendi; lirimet doganore; politikat tregtare konkurruese dhe përmirësimi i mjedisit biznesor; funksionalizimi i zonave të tregtisë së lirë; luftimi i ekonomisë joformale; eliminimi i barrierave ligjore dhe zvogëlimi i burokracisë; përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme; promovimi i investimeve; krijimi i partneriteteve strategjike në fushën e investimeve; lehtësimi dhe promovimi i investimeve nga diaspora; avancimi i partneritetit publiko privat, bujqësia, etj.

Nga ana tjetër Lëvizja Vetëvendosje! dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thonë se Qeveria e Isa Mustafës nuk ka një plan të detajuar qeverisës dhe i cili nuk garanton zhvillim ekonomik e as social. Sipas tyre, Qeveria e ka fshehur qëllimisht deri tani këtë dokument dhe kjo dëshmon Qeveria e Isa Mustafës nuk ka asnjë energji dhe se është vetëm vazhdim i keqqeverisjes së vendit.

Kryeministri Mustafa në kuadër të fushatës zgjedhore kishte bërë premtime të shumta, madje kishte folur edhe për qindra-mijëra vende pune.

Musa Limani, profesor i fakultetit Ekonomik, thotë se edhe pse nuk e ka parë dokumentin, për të është një hap pozitiv që qeveria e sheh të arsyeshme se zhvillimi ekonomik nuk mund të bëhet pa një program.

“Duhet të bëhen reforma rrënjësore ekonomike, politikat duhet të jenë të bazuara në analiza të aspektit profesional dhe shkencor dhe të hyjnë në funksion të ndihmës së bizneseve me politika fiskale, politika monetare kreditore dhe politika të tregtisë së jashtme. Instrumentet e këtyre nuk kanë qenë sa duhet në funksion të bizneseve vendore, përkundrazi ka instrumente që e pengojnë, e ngufatin me politikat kreditore, taksat doganore për lëndë të parë, akciza e TVSH-ja”, ka theksuar Limani.

Muhamet Sadiku njohës i çështjeve ekonomike vlerëson se ende jemi brenda retorikës, brenda disa paralajmërimeve, disa objektivave se do të bëhet punë.

“Tani kemi një koncept të programit të qeverisë për periudhën e ardhshme, në të cilin program janë fiksuar disa objektiva, porse realisht duhet pranuar se objektivat vihen, prioritetet vihen, por duhet të zbatohen në praktikë. Ajo që do të duhej fokusohej në qeverisje është se si do të qeveriset në realizimin e këtyre objektivave dhe prioriteteve dhe ajo që ka rëndësi si do të qeverisen sfidat e ardhshme të zhvillimit ekonomik të Kosovës, si do të zbutet papunësia dhe varfëria?”, thotë Sadiku.

Kurse, Lekë Musa, njohës i çështjeve ekonomike ka thënë për KosovaLive se nëse plani qeverisës realizohet do të jetë pozitiv për qytetarët e Kosovës në aspektin e zhvillimit ekonomik. “Në këtë fazë hapat duken pozitiv. Shpresoi se kanë me vazhduar me lehtësira për TVSH-në, tatimin në fitim dhe tatimin në të ardhura që janë hapa premtues”, ka thënë Musa. /KosovaLive /Telegrafi/