Site icon Telegrafi

Ekspertët me qëndrime të ndara rreth konvokimit të Kuvendit në Maqedoni

Përderisa presidenti i shtetit Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi kanë qëndrime të ndryshme për atë nëse duhet ose jo të konvokohet Kuvendi për të konstatuar nevojën për vazhdimin e gjendje të jashtëzakonshme për shkak të Covid 19, të ndarë janë edhe ekspertët.

Eksperti i çështjeve juridike Naser Ziberi vlerëson se konvokimi i seancës së Kuvendit është i pa nevojshëm, pasi vetëm do të konstatojë nevojën për gjendjen e jashtëzakonshme dhe përsëri duhet të pezullojë punën e tij.

“Nuk shoh ndonjë arsye për ta problematizuar këtë çështje edhe pse sipas mendimit tim nuk ekzistojnë pengesa edhe të konvokohet seancë e parlamentit, por ajo seancë e parlamentit do të kishte vetëm këtë funksion të konstatoj se janë krijuar kushtet për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme si rezultat i ekzistimit të epidemisë dhe përfundon me kaq.  Kushtetuta në fakt e ka zgjedhur edhe këtë çështje, do të thotë në nenin 125 thuhet se në qoftë se Kuvendi nuk mund të konvokohet, vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e sjell Presidenti. Ne jemi në situatë kur Kuvendi nuk mund të konvokohet, qoftë nga fakti që është shpërbërë qoftë nga fakti që ekziston rreziku i përhapjes së epidemisë”, deklaroi Naser Ziberi, ekspert i çështjeve juridike.

Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci thotë se Kuvendi duhet të konvokohet pasi Qeveria ka marrë kompetenca të mëdha dhe duhet të ketë kontroll ndaj punës së saj.

“Shumë është me rëndësi që qytetarët të kenë përfaqësuesit e tyre përmes institucionit të Kuvendit, kundrejt pushtetit ekzekutiv i cili i ka të gjitha pushtetet për momentin. Argumentet se Kuvendit nuk mund të konstituohet janë shumë të gabueshme. Gjykata Kushtetuese me vendim të sajin në vitin 2016 konstatoi situatë të njëjtë siç jemi tani. // Kuvendi mund të mblidhet në situatë të gjendjes së jashtëzakonshme, që është në drejtim të kësaj që ne e themi. Plotësisht nëse Kuvendi nuk dëshiron këtë ta bëjë, rregullorja jep mundësi atë ta bëjë grup deputetësh. Që kuvendi përsëri të konstituohet ekzistojnë edhe argumente kushtetuese – juridike dhe politike-demokratike”, tha Marko Troshanovski, Instituti për Demokraci.

Për shkak se përfundoi afati i vendimit për gjendje të jashtëzakonshme 30 ditore, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare presidenti i shtetit shpalli gjendje të jashtëzakonshme edhe për 30 ditët e ardhshme. Në fjalimin e tij ai përsëriti qëndrimin se Kuvendi duhet të konvokohet.

“Në situatë kur deputetët marrin rrogë, kur askush prej tyre nuk ka kërkuar apanazhë që pason pas përfundimit të mandatit. Do të thotë se ata ende janë me mandat të vlefshëm, ndërsa Kuvendi përsëri nuk punon, unë e marr përgjegjësinë me miratimin e një vendimi të këtillë, vetëm për atë sepse kemi gjendje të pa precedentë, kur është më e rëndësishme të ruajmë jetën dhe shëndetin e njerëzve, sesa të fshihemi pas interpretimeve juridike”, u shpreh Stevo Pendarovski, president.

Pas deklaratës së presidentit Pendarovski, kabineti i kryetarit të Kuvendit njoftoi se Talat Xhaferi mbetet në qëndrimin e shprehur se nuk ka kushte për konvokimin e institucionit ligjdhënës./Alsat/

Exit mobile version